Gurthyes FOTO- "Ec ma ndryshe"

KPMM: Aktivitetet minerare të pajisen me leje mjedisore në fazën testuese

Të gjitha aktivitetet e gurthyesve në Kosovë nuk kanë leje mjedisore, ndërsa sipas ekspertëve dhe auditorit, ndikimi i tyre në mjedis është shumë i madh.

Drejtori i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Ramiz Krasniqi ka thënë se nuk do të lejojnë funksionimin e gurthyesve pa u pajisur me leje mjedisore.

“Ne do të kërkojmë që fillimisht të pajisen me leje mjedisore në mënyrë që më pas të mund ta bëjnë rehabilitimin e zonës në vendet ku dëmtohet vendi. E dimë se rehabilitimi i zonës merr kohë të gjatë dhe ndikimi është i madh”, ka thënë Krasniqi.

Hana Imeri, zyrtare për Leje Mjedisore në Ministrinë e Mjedisit, ka thënë se faza testuese e operatorëve do t’u mundësonte Ministrisë dhe inspektorëve, që të bënin inspektimin e ndikimit në mjedis të gurthyesve.

“Në udhëzimin administrativ të lëshimit të lejeve mjedisore, kërkohet edhe leja nga KPMM, e cila më pas mund të tregojë se sa ka ndikim në mjedis dhe sidomos në fazës testuese. Në të ardhmen do të ketë një bashkëpunim në mënyrë që gjatë fazës testuese, të kemi mundësi ta shohim ndikimin në mjedis”, ka thënë Imeri.

Sipas gjetjeve të Auditorit, ka shfrytëzim jo strategjik të mineraleve në Kosovë e gjithashtu nuk ka harmonizim mes shtrirjes së mineraleve ndërtimore në vend dhe licencave e lejeve.

Sipas Auditorit, licencat dhe lejet gjatë dy viteve të fundit (2018 dhe 2019) janë dhënë në të gjitha pjesët e territorit të vendit pa pasur ndonjë prioritizim në shfrytëzim strategjik.

Auditori ka gjetur se me minimin e shumë zonave dhe nxjerrjes së zhavorrit, shtrohen rrugë e materialet shfrytëzohen për ndërtimtari.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.