Nga një prezantim i ATK-së

ATK-ja Nxjerr 76,355 Vërtetime Tatimore Elektronike

Administrata Tatimore e Kosovës njoftoi sot se që nga lansimi i shërbimit online ka lëshuar 76,355 vërtetime tatimore elektronike.

“Gjatë vitit 2017 janë nxjerrë 71,884 vërtetime tatimore, ndërsa nga fillimi i muajit janar të këtij viti deri më sot numri i vërtetimeve të nxjerra është 4,471”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

ATK-ja në njoftim tregon se vërtetimi elektronik tatimor është njësoj i plotfuqishëm edhe pse nuk ka vulë.

“Vërtetësia e përmbajtjes së këtij dokumenti mund të verifikohet në çdo kohë përmes adresës elektronike  të ATK-së. Institucionet të cilat pranojnë Vërtetimin Tatimor, kanë  mundësi të bëjnë verifikimin se ai dokument është identik me gjendjen e atij tatimpaguesi në Administratën Tatimore të Kosovës, në datën kur është lëshuar vërtetimi”, thuhet në njoftim.

Vërtetimi tatimor i lëshuar në mënyrë elektronike nga ATK-ja është dokument i cili tregon gjendjen aktuale tatimore të tatimpaguesit që mund të shfrytëzohet për qëllime të ndryshme.

Përmes sistemit elektronik EDI, tatimpaguesit mund të pajisen me vërtetim tatimor për qëllim të aplikimit për vizë, aplikimit për tender, pushimit të lehonisë, vazhdimin e lejes së qëndrimit në Kosovë, aplikimit për licencë etj.

ATK-ja ka paralajmëruar që në shkurt do të publikojë edhe listën e borxhlinjve.