Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit në fokus - Prezantohen roli dhe rezultatet e Projektit "PPSE" nga "Swisscontact"
Në Konferencën për Zhvillimin e Turizmit, të mbajtur të enjten, ekspertët, bizneset dhe institucionet qendrore dhe lokale u bën bashkë për të diskutuar arritjet e Projektit “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” (PPSE).
Ky Projekt mbështetet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe implementohet nga “Swisscontact” në Kosovë dhe Instituti Riinvest.
Fokus i Konferencës ishte orientimi që duhet të marrë turizmi për një zhvillim sa më të qëndrueshëm, por edhe ekonomikisht të favorshëm për komunitetet lokale.
Menaxherja e Projektit “PPSE” nga “Swisscontact” Blerina Batusha-Xërxa tha se Projekti ka qenë i përqendruar në rritjen e të ardhurave dhe të vendeve të punës në Kosovë.
“Projekti jonë gjatë kësaj periudhe 12-vjeçare ka qenë i fokusuar për të rritur numrin e vendeve të punës, si dhe të hyrave për komunitetin në Sektorin e Ushqimit dhe Turizmit. Një mësim për Projektin tonë ka qenë që suksesi mund të arrihet, transformimi mund të arrihet kur punojnë të gjithë së bashku dhe i shohim cilat janë sfidat dhe nevojat e komunitetit lokal dhe si mund t’i adresojmë këto bashkarisht.” – theksoi menaxherja e Projektit “PPSE”.
Lumturije Geci nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë theksoi se synojnë që Kosovën ta bëjnë një destinacion konkurrues të turizmit në rajon.
“Vizioni është i qartë duhet ta zhvillojmë një turizëm të qëndrueshëm dhe kjo ngërthen në vete një sfidë, sepse duhet të kemi parasysh shumë aspekte, sepse jemi në fillim dhe mund të jetë sfiduese për ne. Me qëllim që të zhvillojmë këtë turizëm po synojmë që përmes Strategjisë së turizmit Kosova të bëhet një destinacion konkurrues në rajon.” – tha Geci.
Teuta Hoxha-Jahaj nga “PPSE” në prezantimin e saj u përqendrua në rritjen e numrit të turistëve në Kosovë ndër vite – duke listuar faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje.
“Projekti jonë kishte për qëllim sjelljen e sa më shumë turistëve në Kosovë. Të hyrat nga turizimi janë rritur ndjeshëm. Nga viti 2017-2023 janë rritur për 300% të hyrat në Sektorin e Turizmit të Hotelerisë dhe Gastronomisë. Një tjetër aspekt pozitiv i rritjes së numrit të turistëve është edhe rritja e Operatorëve turistik.” – shtoi Hoxha-Jahaj.
Ndërkaq, pjesa e dytë e prezantimit i takoi Lulzim Krasniqit, po ashtu pjesë e ekipit të “PPSE”, i cili ndau ekspertizën e tij në këtë Projekt.
“Një element i rëndësishëm është edhe transporti ajror, që është përmirësuar dukshëm, ku vetëm vitin 2024 sipas statistikave të Organizatave Ndërkombëtare Aeroporti i Prishtinës i ka pasë mbi 4,000,000 udhëtarë, në mesin e tyre turistë. Duhet theksuar se Projekti “PPSE” ka punuar me shumë përkushtim. Po ashtu, edhe në aspektin e rritjes së numrit të produkteve për turizmin malor.” – përfundoi Krasniqi.
Për 12 vjet Projekti “PPSE” ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin sistemik të turizmit – duke punuar me akterët lokal dhe institucionet lokale e qendrore për të zhvilluar një ekosistem funksional turistik.
Gjatë kësaj periudhe turizmi është kthyer në një burim të qëndrueshëm të të ardhurave dhe punësimit, veçanërisht për të rinjtë, gratë dhe komunitetet në zonat rurale.
Kjo Konferencë është përmbyllur me Panelin me temën “Rruga përpara e turizmit të Kosovës”.

