Konferenca e ORCA-së për vendimin e Këshillit të Etikës të UP ndaj prof. Ilir Tolaj

ORCA kritikon vendimin e Këshillit të Etikës ndaj punimit të profesorit Ilir Tolaj

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) përmes një konference për media ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për profesorin Ilir Tolaj.

Në nëntor të vitit 2022, ORCA e kishte denoncuar profesorin Ilir Tolaj për plagjiaturë të punimit të doktoratës, i cili sipas ORCA-s, është një kopje masive e një teksti të një autori të huaj.

Më 15 janar të këtij viti, Këshilli i Etikës ka marrë vendim në lidhje me këtë denoncim të ORCA-s, ku thuhet se në bazë të një raporti nga Komisioni i ekspertëve, KE ka arritur në përfundimin se punimi i profesorit Tolaj i respekton standardet shkencore për një punim doktorate.

Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë i kishte emëruar profesorët Shemsedin Dreshaj dhe Hamdi Ramadani si ekspertë të Komisionit për të vlerësuar se a kishte apo jo plagjiaturë në punimin për të cilin kishte pretenduar ORCA.

Ndërsa, gjatë konferencës ORCA i ka kundërshtuar konstatimet e Komisionit të ekspertëve duke shfaqur punimin e profesorit Tolaj dhe punimin ku ORCA pretendon se janë kopjuar paragrafë e referenca.

ORCA i ka quajtur “qesharake” dhe “absurde” konstatimet e dy ekspertëve, Shemsedin Dreshaj dhe Hamdi Ramadani.

Sipas ORCA-së, Këshilli i Etikës nuk i ka ftuar në seancë dëgjimore, ndërsa palën, në këtë rast profesorin Ilir Tolaj, e ka ftuar.

Kurse, sa i përket dy ekspertëve të KE, ORCA pretendon se janë kolegë dhe bashkautorë të profesorit Tolaj në punime tjera.

“KE ka angazhu dy ekspertë për m’u marr me këtë çështje, pra për me hetu a ka, a s’ka plagjiaturë dhe e papritur, por ndodhë që këta dy ekspertë janë kolegë të Ilir Tolajt, njëri deputet i AAK-së, është fjala për Shemsedin Dreshaj edhe Hamdi Ramadani. Shemsedin Dreshaj edhe Hamdi Ramadani, siç mundeni me pa në dy punime të ndryshme janë bashkautorë të Ilir Tolajt” – ka deklaruar Rron Gjinovci nga ORCA.

Në vendimin e KE thuhet se, profesorët Dreshaj dhe Ramadani duke e analizuar Hyrjen e punimit, e shohin se të gjithë paragrafët kanë numra dhe referenca valide, që i përgjigjen referencave të listuara në fund të punimit.

“Është analizuar edhe vërtetësia e korrespondimit të këtyre paragrafëve me numra të caktuar të referencave, me punimet në të cilat është bërë thirrja duke konstatuar se referencat janë korrekte dhe adekuate” – thuhet në vendimin e KE.

Për ORCA-në ky konstatim është “i rrejshëm” dhe sipas tyre janë kopjuar paragrafë e fusnota.

“Këtu janë dy mundësi, ose këta dy ekspertë janë komplet të padijshëm ose mendojnë që na tjerët jemi komplet të padijshëm. Mundeni me pa me sy të lirë, pa kurfarë dije, nevoje për doktoraturë as kurgjo tjetër, që ky tekst edhe ky tekst janë të njëjtë. Pra, krejt çka duhet me bo është me dit anglishten. Ky tekst është i përkthyer këtu dhe përveç që është kopju teksti, janë kopju edhe fusnotat” – ka thënë Gjinovci.

Tutje, në konstatimin tjetër të KE ku thuhet se, “ndërsa, vlerësimi i një punimi i punuar në Kosovë para dy dekadave, me kritere të sotme të vendeve më të anavcuara në shkencë dhe teknologji, është i pamundur e madje i kundrligjshëm”- Gjinovci ka theksuar se kjo tregon një mosdije të thellë të stilit ‘PISA’ të ekspertëve në fjalë.

“Nuk mundesh ti me konstatu që një punim që u punu para dy dekadave nuk mundet m’u konsideru plagjiaturë me standarde të sotit – e para, me kopju tekstin fjalë për fjalë, pra edhe me fusnota, nuk është akuzë e ndërtume me një standard të avancuar, po një standard tepër primitiv” – ka kundërshtuar Gjinovci.

Më tej, sipas KE, pjesët që ORCA pretendon se janë kopjuar në fakt nuk janë pjesët kryesore të asnjë punimi.

Këtë konstatim, Gjinovci e ka quajtur “katastrofë”.

“Neve na ka ardh marre kur e kena lexu këtë sen në ORCA, domethënë me thanë një person që mban titullin Doktor shkence që hyrja edhe referencat nuk janë të rëndësishme, bile “NUK” në vendim mundeni me gjet më shkronja të mëdhaja, është katastrofë, kjo kallxon që kemi të bëjmë me padije të thellë. Por le ta imagjinojmë që ashtu është, çka po i bjen kjo fjali, kjo po i bjen që pjesët që nuk janë kryesore bën m’i vjedhë a?” – është shprehur ai.

Si rezultat i këtyre pakënaqësive, ORCA ka njoftuar se do ta apelojnë vendimin e KE-së.

“Na nuk kena me nejt duarkryq, na kena me apelu këtë vendim, sepse e kemi këtë mundësi. Jo pse besojmë që ka me ndryshu diçka, por sepse dojmë me ia dhanë shansën UP-së me përmirësu këtë gabim, se është i turpshëm nëse mbetet në historinë e Universitetit. D.m.th na presim me caktu eksperta, njerëz të njohur në fushën e identifikimit të plagjiaturës, jo thjeshtë do mjekë edhe mundësisht jo kolegë edhe bashkautorë të Ilir Tolajt nëpër punimet tjera” – ka bërë të ditur Gjinovci.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Këshillit të Etikës në UP dhe profesorit Ilir Tolaj në lidhje me pretendimet e ORCA-së, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.