U.D drejtori i Arsimit të Lartë në MAShTI e shmangë konfliktin trevjeçar të interesit pas interesimit të KALLXO.com

Që nga viti 2019 Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të Departamentit të Arsimit të Lartë në Ministri të Arsimit, Burim Gashi, ka qenë në konflikt interesi.

Kështu ka konstatuar Agjencia Kundër Korrupsion, pasi Gashi në të njëjtën kohë ka qenë ligjërues i angazhuar në Kolegjin “UBT” si dhe në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, Agjencia Kundër Korrupsion e ka detyruar Gashin që të jap dorëheqje nga këto dy pozita, kështu që tek tani në vitin 2021 ai e ka shmangur konfliktin e interesit.

Në bazë të deklarimit zyrtar të pasurisë së tij për këtë vit, Gashi ushtron detyrën e drejtorit në MAShTI që nga viti 2019, ndërsa ka ligjëruar në Kolegjin “UBT” nga viti 2016 dhe në Universitetin e Prishtinës nga viti 2011.

Agjencia ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me zyrtarin Burim Gashi dhe janë diskutuar përgjegjësitë e tij në këtë departament, veçanërisht faktin që ai si U.D drejtor, pranon raportin me të dhëna të përgjithshme të bartësve të institucioneve të Arsimit të Lartë, siç e përcakton neni 13 i Udhëzimit Administrativ për Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsimit e Lartë (SMIAL).

“Pra, z. Gashi, duke ushtruar funksionin e U.D drejtor i DAL në MAShTI dhe njëherësh duke qenë i angazhuar edhe në institucione të Arsimit të Lartë, të cilat përmes platformës SMIAL raportojnë tek drejtori i DAL në MAShT, nënkupton që Burim Gashi trajton për raporte të rëndësishme të punëdhënësve të tij, përkatësisht “Kolegjit UBT” dhe Fakultetit të Arteve të UP-së”, thuhet në vendim.

AKK thotë se kjo situatë bie ndesh me dispozitat e nenit 11 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Në këtë nen theksohet se tek punët e ndaluara për zyrtarin janë: zyrtarit i ndalohet të kryejë punët të tjera nëse mund të keqpërdorë informacionin zyrtar për interesa private, punët e tilla mund të ndikojnë në paanshmërinë e ushtrimit të detyrës publike dhe cenojnë respektimin e parimeve të konkurrencës së lirë si dhe angazhime të tilla mund të dëmtojnë reputacionin e institucionit.

Agjencia pas kësaj e ka ftuar në takim Gashin dhe e ka njoftuar për ndalesat dhe kufizimet ligjore sa i përket angazhimeve të tij në dy institucione të Arsimit të Lartë, krahas ushtrimit të detyrës si U.D drejtor në MAShTI.

“Me këtë rast ai është udhëzuar për veprimet që duhet t’i ndërmarrë në mënyrë që ta shmang gjendjen e papajtueshmërisë, përkatësisht konfliktin e interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet më tej.

Pas kësaj, Gashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ligjëruesit në “Kolegjin UBT” dhe nuk është më pjesë e Fakultetit të Arteve të UP-së.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vetë Gashi.

“Po kam dhënë dorëheqje nga të dy institucionet e Arsimit të Lartë”, tha shkurt Gashi.

Ndërsa, në bazë të deklarimit të pasurisë së tij për këtë vit, ai ka deklaruar se nga Kolegji ‘UBT’ të hyrat vjetore si ligjërues i ka pasur 3,940 euro, ndërsa nga UP 3,941 euro dhe nga paga në MAShTI 7,270 euro.

KALLXO.com kishte dërguar në AKK kërkesë për interpretim nëse i njëjti është në konflikt të interesit rreth 2 muaj më parë.

Se Gashi ka qenë drejtor i U.D Departamentit të Arsimit të Lartë që nga viti 2019 e kanë konfirmuar nga Ministria e Arsimit.

“Zotëri Burim Gashi është emëruar si U.D i Departamentit të Arsimit të Lartë në vitin 2019. I njëjti që nga ajo kohë ka qenë në këtë pozitë”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

MAShTI po ashtu ka bërë të ditur se më 6 korrik i është drejtuar Agjencisë Kundërkorrupsionit ku ka bërë kërkesë për opinion mbi mundësinë e ekzistimit të konfliktit të interesit në situatat kur zyrtarët e MASHTI që mbajnë me funksion monitorimin, kontrollin e punës dhe krijimin e politikave për institucionet arsimore, angazhohen me kontratë pune në këto institucione.

“Gjithashtu, ju njoftojmë se Ministria ka filluar përgatitjet për hartimin e bazës ligjore për parandalimin e konfliktit të interesit tek zyrtarët e MASHTI. Shumë shpejtë kjo rregullore do të finalizohet ndërkaq, procesi është duke u zhvilluar në koordinim me Agjencinë Kundërkorrupsionit”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.