Shkolla "Nazim Kokollari-Budakova" Prizren, Foto: SHFMU Nazim Kokollari - Budakova/Facebook
Shkolla në Prizren e ndërtuar me donacion të BE-së, ende e pakyçur në rrjetin elektrik
Kanë kaluar 13 ditë prej se u përurua objekti i ri i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Nazim Kokollari-Budakova” në Prizren, por ende nuk e ka të vendosur njehsorin elektrik dhe si pasojë nuk është kyçur në rrjetin e energjisë elektrike.
Për Luljeta Veselaj-Gutajn, drejtoreshën e Arsimit në Prizren, vendosja e njehsorit elektrik është çështje ditësh, pasi ata kanë bërë kërkesë në Kompaninë për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) për vendosjen e tij.
Ndërtimi i objektit të ri të Shkollës “Nazim Kokollari-Budakova” është mundësuar përmes donacionit të Bashkimit Europian në vlerë 5,264,069.57 euro.
Kurse, KEDS në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka thënë se kërkesa për vendosjen e njehsorit elektrik në këtë Shkollë është në proces e sipër.
“Komisioni përkatës i KEDS-it ka dalë në vend për verifikimin dhe vlerësimin e gjendjes dhe procesi, si i tillë, është në procedurë të pranimit teknik. Kjo procedurë, bashkë me procedurat e tjera pasuese, si marrëveshja për kyçje dhe kërkesa nga ana e komunës për vendosjen e njehsorit elektrik, do të përfundojnë deri në fillim të javës tjetër.” – thuhet në përgjigjen e KEDS, më 22.09.2025.
Zyra e BE-së në Kosovë është në dijeni se ende nuk është vendosur një lidhje e përhershme me rrjetin elektrik në shkollë, e cila konsideron se është përgjegjësi e Komunës. Ata thanë se nuk morën pjesë në ceremoninë e përurimit të saj.
Por, në përurimin e Shkollës “Nazim Kokollari-Budakova” mori pjesë Shaqir Totaj, kryetari i Komunës së Prizrenit dhe Veselaj-Gutaj.
“Komunikimi i fundit me kryetarin e Komunës [së Prizrenit] në lidhje me këtë çështje daton më 25 gusht 2025. Kemi realizuar vizita të rregullta në shkollë deri në dorëzimin e saj më 30.05.2025. Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, mbikëqyrësi, do të vazhdojë ta monitoroj objektin deri sa përfundon periudha e garancisë së defekteve më 29.05.2026.” – janë përgjigjur nga Zyra e BE-së për KALLXO.com, më 23.09.2025.
Kur u pyt nga KALLXO.com se pse është hapur objekti i ri i Shkollës më 10.09.2025, kur nuk ka qenë i kyçur në rrjetin elektrik, Veselaj-Gutaj tha se ka qenë krejt i gatshëm dhe se kanë filluar shumë më herët me kërkesën për kyçje. E që sipas saj, pranimi teknik i trafos është kryer, para se të bëhet kyqja.
“Nuk është pengesë energjia elektrike edhe kështu që ka me pasë lidhje. Asnjë gjë nuk i dëmton [shkollën mungesa e energjisë elektrike]. Jena t’u besu që sot, nesër deri në fund të javës gjithçka ka m’u përfundu” – ka thënë Veselaj-Gutaj përmes telefonit.
“Dritë ka të mjaftueshme në shkollë, është edhe gjeneratori, po s’ka pas nevojë me ndezë se ka dritë të mjaftueshme edhe në tualete. Ky pranimi teknik është kry, i trafos, se procedurat, normal e kanë neglizhu pak me ditë se nuk e kanë pas veç Prizrenin. Tash jemi në procedura të kyqjes edhe vendosjes së orës [njehsorit elektrik] brenda shkollës që unë po besoj shumë, brenda javës që ka me përfundu” – ka shtuar Veselaj-Gutaj.
Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, ndërtimi i Shkollës “Nazim Kokollari-Budakova” ka filluar më 01.03.2022 dhe ka përfunduar më 15.04.2025.
“Objekti i shkollës iu dorëzua përfituesit më 30.05.2025. Që nga data e dorëzimit, Komuna ka qenë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe funksionimin e shkollës” – janë përgjigjur nga BE, më 23.09.2025.
Belkize Hoxha, drejtoreshë në Shkollën “Nazim Kokollari-Budakova” nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje me mungesën e energjisë elektrike në këtë shkollë, por ka kërkuar që për këtë çështje të pyetet drejtoresha e Arsimit në Prizren.
E pse u përurua më 10.09.2025, por jo më 1 shtator, Veselaj-Gutaj theksoi se në fakt ka pasur edhe mungesë inventari, një pjesë të të cilit e ka siguruar Komuna e Prizrenit dhe pjesën tjetër Ministria e Arsimit.
Ajo tha se Shkolla me inventar ende nuk është e kompletuar, pasi është hapësirë shumë e madhe, por megjithatë është funksionale.
Sipas Veselaj-Gutaj, shkolla ka vetëm një ndërrim dhe ka sistem të ngrohjes me nxemje qendrore.
“S’ka qenë inventari i mjaftueshëm për m’u funksionalizu shkolla edhe ka qenë e planifikuar që me një 1 shtator nuk hapet shkolla. Çdo planifikim që e bëjmë, asnjëherë s’e bëjmë me 1 shtator, gjithmonë e bëjmë në cikël, pas një jave sa të adaptohen, njoftohen prindërit, fëmijët dhe pastaj fillojnë në objektet e reja kudo që i kemi” – ka deklaruar Veselaj-Gutaj.
Në rrjete sociale u pretendua se toaletet e kësaj shkolle nuk janë përfunduar, kurse Veselaj-Gutaj e ka mohuar këtë pretendim. KALLXO.com ka siguruar dy video ku shihet gjendja e toaleteve të reja dhe se nuk kanë mungesë të ujit.
Ajo mendon se këto çështje të ngritura për Shkollën “Nazim Kokollari-Budakova” janë duke u shfrytëzuar politikisht nga disa pretendent për kryetar komune e disa individë.
Edhe drejtoresha e Shkollës “Nazim Kokollari-Budakova” për toaletet e shkollës tha se janë të përfunduara dhe funksionale.
“Banjot janë të përfunduara, janë funksionale. Bile me numër kogja si të madhe dhe me të gjitha standardet që i takojnë një banjoje, ndoshta fëmijët i kanë më të mira se sa që i kanë në shkollë. Për pjesën tjetër të rrymës, është drejtoresha [e Arsimit]” – ka thënë Hoxha për KALLXO.com, më 22.09.2025.
Sipas Hoxhës, mësimin në objektin e ri të Shkollës e kanë nisur më 11.09.2025 dhe deri në atë kohë kanë mësuar në objektin e vjetër, i cili tha se është afër objektit të ri.
“Prindërit e kanë vizituar shkollën, e kanë parë gjendjen dhe asnjë ankesë deri tani nuk na është drejtuar përpos këtyre pretendimeve që i kanë për fushatë elektorale. Në atë pjesë ne nuk do të hyjmë fare” – ka shtuar Hoxha.
Hoxha tha se kanë bërë kërkesë për ndërtimin e shkollës së re pasi është rritur numri i nxënësve dhe se hapësira në shkollën e vjetër ka qenë e pamjaftueshme.
Ajo ka treguar se janë 350 nxënës në Shkollën “Nazim Kokollari-Budakova” në vitin shkollor 2025/2026.
Zyra e BE-së ka thënë po ashtu se Projekti “Ndërtimi i Shkollës në Prizren” është pjesë e programit të veprimit për Kosovën për vitin 2017 – ‘BE për Arsimin’, i cili ka për qëllim të përmirësojë cilësinë e infrastrukturës së arsimit në Kosovë në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, me theks të veçantë në përfshirjen e fëmijëve që i përkasin komuniteteve pakicë dhe në zgjidhjen e problemit të mbipopullimit të klasave.