Sa janë duke u respektuar masat anti-COVID nëpër universitetet publike të Kosovës?

Vendosja e maskës mbrojtëse, mbajtja e distancës dhe higjienës janë disa nga masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të vendosura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Edhe pse universitetet kanë qenë të obliguara t’i respektojnë masat e vendosura nga Qeveria dhe ato të përcaktuara në “Manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19”, ato nuk u respektuan plotësisht nëpër shtatë universitetet publike të Kosovës.

Fillimi i vitit akademik 2020/2021 i gjeti studentët larg fakulteteve për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilit, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat duhet të organizohet në formën online.

Por me këtë vendim ishte paraparë që provimet, puna praktike dhe laboratorike të organizohen duke respektuar masat e përcaktuar në “Manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19”.

Studentë pa maska

Me rikthimin e studentëve fizikisht në fakultete për mbajtjen e provimeve, njëra prej masave që filloi të mosrepektohet është mbajtja e maskës dhe distancës nëpër hapësirat e brendshme të fakulteteve.

Gjatë monitorimit në muajin shkurt, monitoruesit e KALLXO.com kanë hasur në studentë të grumbulluar nëpër korridore të fakulteteve duke mos mbajtur fare maskë, me maska të vendosura në mënyrë jo të duhur dhe duke mos mbajtur distancën e kërkuara me masat anti-COVID.

Edhe pse në hapësirat e fakulteteve përmes udhëzuesve të vendosur kërkohet nga studentët që të mbajnë maskën dhe distancën, studentë pa maska ka pasur në Fakultetin e Shkencave Matematiko – Natyrore dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

KALLXO.com ka marrë përgjigje nga dekani i Fakulteti Juridik, Avni Puka dhe dekani i FShMN-së, Idriz Vehapi, në lidhje me mosmbajtjen e maskave mbrojtëse nga studentët.

“Si Dekan kam themeluar një Task-forcë për mbikëqyrjen e zbatimit të masave kundër COVID-19”, ka thënë Avni Puka për KALLXO.com.

Ndërsa, dekani Vehapi kishte thënë se deri atë ditë [02.02.2021] nuk kishte hasur ndonjë student që nuk ka respektuar masat anti-COVID.

“Ne deri tani nuk kemi pasur asnjë rast të tillë. Është pyetja e parë që po ma bëni për këtë aspekt. Nëse studentët nuk i vendosin maskat ia tërheqim vërejtjen”, kishte deklaruar Vehapi.

Mungesa e shenjëzimeve 

Sekretarja e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Shqipe Loshaj, i tërë shtabi emergjent i përcaktuar nga universitet përkujdesen për mirëmbajtje dhe respektim të masave anti-COVID.

Gjatë monitorimit nga KALLXO.com është parë nuk janë të vendosura shenjëzimet për mbajtje të distancës brenda objektit të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Pejës.

Thirrje për të respektuar masat është bërë edhe në hyrje të klasave në Fakultetin e Arteve.

“Lani duart, mbani maskën, ruani distancën”, thuhet në udhëzuesin e vendosur në hyrje.

Mungesa e shenjëzimeve nëpër universitet publike në vend ka qenë mjaft e theksuar gjatë katër muajve sa KALLXO.com ka monitoruar këto fakultete.

Mungesë e shenjëzimeve është vërejtur edhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”.

Në vendimin e fundit të Qeverisë për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19, thuhet se brenda një objekti lejohen të qëndrojnë 30 persona ndërsa në ambiente të hapura lejohen deri në 50 persona.

Në hyrje të klasave në në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” nuk është vendosur njoftim se sa persona lejohen brenda.

Vendosja e dezinfektuesve nëpër fakultete

Po bëhen gati një vit që kur Kosova është duke luftuar me COVID-19. Që nga dhe viti i kaluar vazhdimisht është kërkuar respektimi i masave anti-COVID, ndër to edhe dezinfektimi i shpeshtë i duarve për parandalim të përhapjes së infeksionit.

Në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakultetin e Arteve në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, si dhe në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, vendosja e dezinfektuesve nëpër hapësirat e brendshme në shërbim të studentëve dhe stafit, ka qenë një ndër masat që është respektuar.

Gjatë monitorimit në muajt e kaluar,  nëntor 2020, dhjetor 2020 dhe janar 2021, në hapësirat e brendshme të gjashtë fakulteteve të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, nuk janë parë dezinfektues të cilët mund të përdoren nga studentët.

Gjatë monitorimit në muajin shkurt, dezinfektues janë parë te të gjithë fakultetet, në hapësirat e brendshme ose edhe në hyrje të fakulteteve.

Mungesa e sapunëve dhe letrës higjienike 

Mbajtja e higjienës personale është njëra ndër masat e cila parandalon përhapjen e COVID-19. Gjatë monitorimit në muajin shkurt, në banjot e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është vërejtur që mungojnë sapunët e lëngshëm dhe letrat higjienike të cilat do të mund të përdoreshin nga studentët.

Situatë e ngjashme është parë edhe në Fakultetin e Shkencave Matematiko – Natyrore në Universitetin e Prishtinës.

Edhe banjot në këtë fakultet nuk ishin të furnizuara me sapun të lëngshëm dhe letra higjienike.

Ndryshe nga monitorimi tre mujor, në muajt nëntor, dhjetor 2020 dhe janar 2021 kur nuk ka pasur letër higjienike në banjot e fakulteteve në Universitetin e Prizrenit, KALLXO.com ka parë se gjatë monitorimit në muajin pasues banjo ka pasur letër higjienike dhe sapun të lëngshëm për pastrimin e duarve.

Në përgjigjet e Universitetit të Prizrenit thuhet se kanë të caktuar enkas një person për monitorimin e implementimin e masave që bazohet në “Manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19”.

Universiteti i Ferizajt përmirësohet në respektimin e masave anti-COVID

KALLXO.com që nga muaji nëntor i vitit 2020 është duke monitoruar respektimin e masave anti-COVID në shtatë universitetet publike në Kosovë. Gjatë monitorimit në këto muaj është vërejtur se disa universitete vazhdojnë të kenë problemet e njëjta ndërsa disa janë përmirësuar pas raportimit të KALLXO.com.

Në mesin e universiteteve që nuk i ka respektuar disa prej masave të përcaktuara në “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19” është edhe Universiteti i Ferizajt.

Nga nëntori i vitit 2020 deri në janar të këtij viti, Universiteti i Ferizajt nuk ishte duke i respektuar masat për vendosjen e udhëzuesve për respektim të masave anti-COVID, shenjëzimit nëpër korridore e klasa për mbajtjen e distancës, vendosjen e dezinfektuesve për përdorim nga studentët dhe stafi madje nëpër bonjot e këtij universiteti nuk kishte as letra higjienike dhe as sapun të lëngshëm.

Mirëpo, gjatë monitorimit të KALLXO.com në muajin shkurt është vërejtur se Universiteti ka filluar t’i respektojë këto masa.

Në derën kryesore të Universiteti dallohet lehtë udhëzuesi i vendosur për të paralajmëruar se “Ndalohet hyrja pa maskë”, në tavolinën e vendosur në anën e djathtë në hyrje të universitetit është vendosur dezinfektuesi dhe maskat me të cilat mund të pajisen studentët për të hyrë në provim.

Po ashtu, udhëzuesi me paralajmërimin se nuk lejohet hyrja pa maskë të shoqëron pothuajse në tërë objektin.

Përmirësim është parë edhe nëpër banjot e këtij universiteti. Për dallim nga muajt e kaluar kur mungonin sapunët e lëngshëm dhe letrat higjienike, në muajin shkurt banjot janë pajisur me këto mjete higjienike në Universitetin e Ferizajt.

Sekretari i Universitetit të Ferizajt, Armend Hyseni, ka potencuar se në kohë provimesh objekti i Universitetit dezinfektohet tri herë në ditë dhe se ofrohen të gjitha shërbimet administrative për studentët.

Nga 13 marsi e deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 69 mijë raste pozitive me COVID-19, mbi 1 mijë e 500 persona kanë vdekur si pasojë e virusit.

Aktualisht në nivel vendi rreth 7 mijë raste janë aktive me coronavirus, përderisa institucionet shëndetësore janë në pritje të furnizimit me vaksinën kundër COVID-19. Kosova është i vetmi vend në rajon i cili nuk është furnizuar me vaksinën anti-COVID.

Më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin fizikisht nëpër objektet e fakulteteve.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.