Ilustrim- Jeta Dobranja për BIRN
Plagjiatura në UP pritet të kontrollohet me softuer
Universiteti i Prishtinës duket se ka vendosur të marrë në duart e veta kontrollin mbi plagjiatin akademik.
Universiteti “Hasan Prishtina” ka nisur procedura tenderuese për një program që do të detektojë plagjiaturën.
Sipas UP-së, softueri anti-plagjiat do të shërbejë për studentë dhe staf akademik të UP-së.
Më 8 mars të këtij viti UP ka hapur thirrjen për oferta për zhvillim e softuerit.
Në një përgjigje për KALLXO.com, zyra për media e UP-së ka dhënë detaje mbi mënyrën se si pritet të funksionojë ky program
“Softueri do të bëjë kontroll të materialeve të publikuara online përmes makinave kërkuese, si: Google, Bing, etj. Gjithashtu, sistemi në fjalë do të bëj verifikimin e diplomave, punimeve seminarike, dhe shkresave të tjera”, thuhet në përgjigje.
Ata shtojnë se studentët dhe stafi do të kenë profile të ndara në këtë sistem
Ky sistem pritet të funksionalizohet pas përfundimit të procedurave të prokurimit.