Xhevdet Doda

Mësimi "Xhevdet Doda" nuk vijoi me prezencë fizike as sot, fillon nga nesër

Gjimnazi i shkencave natyrore “Xhevdet Doda” në Prishtinë, nuk ka mbajtur mësim me prezencë fizike as gjatë ditës së sotme, për shkak të rrënimit të disa objekteve me material azbesti në afërsi të shkollës.

Derisa sot u zhvillua mësim online, gjatë ditës së djeshme nuk u mbajt mësimi pasi në një njoftim të shkollës thuhej se materiali i objekteve të rrënuara, është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut dhe duhej të bëhej vlerësim i hapësirës.

Drejtori i shkollës Azem Jaha në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se mësimi po mbahet online dhe janë në pritje të përgjigjes së Drejtorisë së Arsimit dhe Ministrisë së Planifikimit Hapësinor që po bënë vlerësimin e gjendjes.

“Mësimi sot është mbajtur online dhe kështu me gjasë do vazhdoj deri në një njoftim për vlerësim të gjendjes nga Ministria e Planifikimit dhe Mjedisit”, ka thënë Jaha.

Ndërsa, Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës për KALLXO.com ka thënë se mësimi me prezencë të nxënësve në shkollë, do nis prej ditës së nesërme.

Objektet e rrënuara në lagjen “Lakrishtë” afër gjimnazit “Xhevdet Doda” janë në pronësi të Ndërmarrjes Publike Banesore e cila ka në plan të ndërtojë një objekt afaristo-banesor prej 20 katesh brenda një periudhe tre vjeçare.

Në disa pamje të siguruara nga KALLXO.com, sot gjatë ditës në këtë hapësirë janë parë ekipe punonjësish me rroba mbrojtëse dhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës që po merreshin me vlerësimin e gjendjes.