VIDEO - Fluks në kohë pandemie për t’u regjistruar në shkollat e mesme

Rreth 26 mijë nxënës, të cilët kanë përfunduar shkollën fillore, u janë drejtuar shkollave të mesme për t’u regjistruar.

Shumë prej tyre kanë pritur në radhë para dyerve të shkollave për të aplikuar për regjistrim.

Edhe institucionet shkollore janë përkujdesur që të ketë rend e aplikuesit të respektojnë masat e parapara për mbrojtje nga COVID-19.

 

Azem Jaha, drejtor i shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ka shpjeguar procesin e regjistrimit të nxënësve.

“Ne sot jemi marrë me procedurat e aplikimit, të aplikantëve të cilët dojnë me konkurru në shkollën tonë. Në fillim ka pasë një fluks më të madh dhe ne kemi shpërnda fletëparaqitjet për kandidatët, diku rreth 250 fletëparaqitje që të mos grumbullohen. Kemi filluar që të pranojmë duke shenjëzuar edhe në oborrin e shkollës  në dy grupe, e shini që kemi nda që mos me u bo fluks I madh në dy sportele kur pranohen grupi A dhe sportelin B me të njëjtat kushte, por me qëllim të vetëm që të mos bëhet grumbullimi I nxënësve”, ka thënë Jaha.

Në ditën e parë numri i aplikuesve ka qenë i madh.

Nxënësit apo edhe prindërit kanë pritur me orë të tëra në radhë.

Në rastet kur nuk është respektuar distanca ka ndërhyrë edhe Policia.

Ibadete Syla-Gashi, e ka shoqëruar vajzën, e cila ka aplikuar për regjistrim.

“Unë kam ardhë në ora 8:00, në atë kohë kam marr numrin, ka qëllu numri 99, sepse kishte radhë që kishin pritë shumë më herët, mirëpo prej marrjes së numrit  gjithçka ka shku në rregull, do me thënë secili radhën, nuk kanë hy pa radhë, ishte gjithçka në rregull”, ka thënë ajo.

KALLXO.com ka vizituar edhe shkolla të tjera të mesme në komunën e Prishtinës dhe ka parë nga afër se si është duke u zhvilluar ky proces.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 21 gusht, ndërsa rezultatet do të shpallen më 24 gusht.

Në shkollat në të cilat nuk do të plotësohet numri i paraparë aplikimi do të rihapet më 26 gusht dhe rezultatet do të publikohen më 28 gusht.

Ministria e Arsimit më 6 korrik ka marrë vendim që për shkak të pandemisë së COVID-19 të anulonte Testin e Arritshmërisë për klasat e nënta.