Foto Arkiv: Greva e Mesimdhenesve

Mësimdhënësit e Mitrovicës fitojnë betejën për shujtat me padi gjyqësore

30 mësimdhënës të Mitrovicës e kanë fituar betejën e tyre ndaj Komunës së Mitrovicës së Jugut për kompensimin e shujtave ditore, sipas Kontratës Kolektive të Arsimit të vitit 2017, kontratë kjo e nënshkruar nga ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Shuma të cilën Komuna e Mitrovicës është detyruar ta paguaj nga ana e Gjykatës së Mitrovicës është 2 mijë e 346 euro në afat prej 7 ditësh nga dita e marrjes së aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga KALLXO.com, padia ishte bërë nga 30 mësimdhënësit e Mitrovicës më 26 qershor 2019.

Gjykata ia aprovoi mësimdhënësve padinë për kompensim të shujtave për ushqim nga 2 euro për çdo ditë të pranisë në punë.

Deri tek ky vendim, gjyqtarja, Vesna Miliq për bazë ka marrë nenin 35, paragrafin e 7 të Kontratës Kolektive në të cilën parashihet se të punësuarve iu njihet e drejta për ushqim gjatë punës për ditët e pranisë në punë në vlerë 2 euro dhe Komuna e Mitrovicës këto të dhëna nuk i ka kontestuar.

Sipas aktgjykimit, gjykata e Mitrovicës po ashtu me rastin e vendosjes e pati parasysh edhe kundërshtimet e përfaqësuesit ligjor të Komunës së Mitrovicës së Jugut, sa i përket mungesës së mjeteve financiare si dhe lidhur me atë që Ministria e Arsimit nuk ia ka ndarë mjetet për kompensimin e shujtave.

Por, sipas gjyqtares Miliq, në rastin konkret nuk mund të jetë arsye për mos përmbushje të obligimit, pasi që mësimdhënësit e gëzojnë këtë të drejtë, që i’u garantohet edhe me ligjet në fuqi dhe për Gjykata e Mitrovicës vendosi si në dispozitiv.

Aktgjykimi ishte bërë më 22 shtator dhe avokati i mësimdhënësve, Leutrim Ademi ka bërë të ditur për KALLXO.com se ai është ende i plotfuqishëm.

Kontrata Kolektive e Arsimit në Kosovë është nënshkruar mes përfaqësuesve të SBAShK-ut dhe ish-minsitrit të Arsimit, Arsim Bajrami më 18 prill të vitit 2017.

Një Kontratë Kolektive tjetër është nënshkruar në prill të këtij viti mes SBAShK-ut dhe ish-ministrit, Ramë Likaj.

Zyra Kombëtare e Auditimit këtë vit kishte gjetur shumë raste që komunat kanë humbur në gjykata për shkak të kompensimit të pagave jubilare dhe raste të tjera që janë paraparë nga kjo kontratë kolektive.