Jasharaj: Greva është mbajtur në të gjitha shkollat, përveç në një shkollë në kryeqytet

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj, tha se greva një orëshe e paralajmëruar sot në arsim është mbajtur në të gjitha shkollat, përveç në një shkollë të kryeqytetit.

Jasharaj tha se sipas të dhënave të tyre, Shkolla Fillore ‘Iliria’ në Prishtinë ka qenë e vetmja që nuk ka mbajtur grevë sot.

“Jemi duke i mbledhur raportet dhe sipas të dhëave të deritanishme flasin se në tërësi në gjithë sektorin e arsimit, nga çerdhet por edhe në arsimin parauniversitar është respektuar vendimi i SBAShK për grevë, kurse vetëm një shkollë në Prishtinë kemi një informacion se shkolla ‘Iliria’ nuk e ka respektuar grevën”, tha ai për KALLXO.com.

Ai shtoi se është e vetmja shkollë për momentin që nuk e ka respektuar këtë grevë.

Sot do të mbahet grevë njëorëshe në gjithë sistemin e arsimit, si shenjë pakënaqësie për mos miratimin e Ligjit për Paga dhe SBAShK ka kërkuar 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e këtij ligji.

Greva do të jetë vetëm sot ndërsa është paralajmëruar protestë më 20 maj.