Si do të Kontrollohet Cilësia e Ushqimit pas 11 Qershorit ?

Subjektet politike që po garojnë në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë kanë treguar planet e tyre për kontroll më rigoroz të cilësisë së ushqimit.

Hykmete Bajrami, përfaqësuese  e koalicionit LDK-AKR, tha se një nga punët e ardhshme të këtij subjekti në Qeveri është bartja e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës te Ministria e Bujqësisë.

“Në fakt ka pasë hetime, hetimi i fundit ka qenë kërkesë e z. Mustafa për t’u bërë analizat për të gjitha produktet e qumështit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës do të lëvizë tek Ministria e Bujqësisë”, tha Bajrami.

Ndërkaq, Salih Salihu, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, u zotua se do të ketë kontroll të rreptë të cilësisë së ushqimit.

“Do të ketë kontroll të rreptë të bujqësisë përmes inspektorëve. Ne duhet ta lidhim edhe subvenciomin me cilësi, duhet t’i kushtohet rëndësi produkteve që importohen në aspektin e cilësisë”, tha Salihu.

Për këtë temë, Gëzim Kelmendi nga partia Fjala tha se hapi i parë i reformimit të kontrollit të ushqimit është depolitizimi i institucioneve.

“Strategji e parë është depolitizimi. Duhet ta largojmë ndikimin politik nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ngase politikanët kanë lidhje me biznes”, tha Kelmendi.

Në anën tjetër, Milazim Xani nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, konsideroi që kontrolli duhet të jetë sistematik.

“Siguria e ushqimit duhet të shkojë në dy hallka, një herë ai vendor që nga ferma deri në tryezë”, tha Xani.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka sjellë përfaqësues të vet as në Debatin e sontëm Pernime që po transmetohet në TV 21.

Debati zgjedhor temë e të cilit është Industria e Bujqësia ka mbledhur përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, përveç PDK-së.

Ky është debati i tetë me radhë në kuadër të fushatës zgjedhore që po bojkotohet nga PDK. Kjo parti po kërkon hapësirë më të madhe për vete dhe partitë që i mbledh në koalicion (AAK e NISMA), se sa subjektet tjera në garën zgjedhore, koalicionin LDK-AKR dhe partinë politike Vetëvendosje.

Komisioni i Pavarur për Media, javën e kaluar, kishte vlerësuar se kërkesa e PDK-së për hapësirë më të madhe në debat se subjektet tjera, është e kundërligjshme.

Debatin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: