Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Haradinaj Premton Themelimin e FBI-së Kosovare

Kandidati për kryeministër të Kosovës i koalicionit PDK-AAK-Nisma ka premtuar fuqizimin, sipas tij, si asnjëherë më parë, të rendit dhe ligjit në Kosovë.

“Që nga dita e parë në qeverinë e re reformatore do të fillojmë me përgatitjet për avancimin dhe reformat institucionale për të fuqizuar si asnjëherë më parë rendin dhe ligjin në Kosovë”, ka premtuar Ramush Haradinaj.

Një prej reformave institucionale, sipas tij, do të jetë themelimi i Byrosë Nacionale të Hetimeve –BNH. “BNH do të jetë përgjegjëse për luftimin e krimit të organizuar dhe transnacional, korrupsionit politik, ekonomik dhe administrativ”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se Qeveria e drejtuar prej tij do të hartojë dhe miratojë infrastrukturën e duhur normative për të realizuar reformat në këto fusha.

“Byroja Nacionale e Hetimeve do të jetë një prej reformave në kuadër të Pakos së Masave Ndër-Institucionale për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, ka theksuar lideri i AAK-së.