Delawie: Çdo Votë Ka Rëndësi, Ka Peshë

Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie - Foto: KALLXO.com

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se qytetarët kanë përgjegjësi për të punuar drejt një procesi zgjedhor pa mashtrime për të siguruar legjitimitetin e demokracisë përfaqësuese të Kosovës.

Ai këto komente i bëri të premten në tryezën “Drejtësia në zgjedhjet e 11 qershorit”, organizuar nga Instituti Demokracia për Zhvillim në bashkëpunim me Demokracinë në Veprim, në të cilën morën pjesë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Prokuroria, Policia, Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë.

Diplomati amerikan bëri të ditur se Ambasada e ShBA në Kosovë do të ketë 40 ekipe që do të vëzhgojnë jo vetëm gjatë kohës së votimit, por edhe gjatë numërimit të votave.

“Në ShBA kemi një thënie, çdo votë ka rëndësi, ka peshë dhe kjo është natyrisht e vërtetë edhe këtu në Kosovë, kjo do të thotë që qytetarët kanë përgjegjësi për të punuar drejt një procesi zgjedhor pa mashtrime, për të siguruar legjitimitetin e demokracisë përfaqësuese të Kosovës”, tha ambasadori Delawie.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se KQZ i ka marrë të gjitha masat e nevojshme që ditën e zgjedhjeve të mos ketë manipulime dhe të mos ketë pengesa në mbarëvajtjen e tyre. “Një çështje tjetër është se ne i kemi dhënë mundësi aplikimit online për ndërrimin e qendrave të vendvotimeve dhe periudha e shërbimeve të votuesve ka filluar që nga 20 maji dhe ka përfunduar deri më 28 maj të këtij viti”, tha Daka. Ajo bëri të ditur se KQZ ka akredituar 25 mijë vëzhgues dhe shpreson që në ditën e zgjedhjeve këta vëzhgues të jenë vigjilent dhe të kryejnë detyrën e tyre.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Zyra e kryeprokurorit të shtetit, Laura Pula, tha se sistemi prokurorial është angazhuar me seriozitetin më të madh që të bëjnë mbrojtjen e votës së qytetarëve. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm se inkuadrimi i rolit të prokurorit të shtetit në këto zgjedhje në kuadër të këtij memorandumi ka të vetmin qëllim, mbrojtjen e votës së qytetarit dhe ndëshkimin e personave të cilët në çfarë do mënyre tentojnë të manipulojnë votën e lirë të qytetarëve dhe të prishin procesin zgjedhor”, tha Pula.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i operacioneve në Policinë e Kosovës, Naim Rexha, tha se ky institucion ka filluar të gjitha përgatitjet për të ofruar siguri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Për ta realizuar detyrën e vet menjëherë Policia e Kosovës i ka filluar kontaktet me nënshkruesit e memorandumit të bashkëpunimit në kuadër të të gjitha institucioneve të tjera me pjesët e përgjegjësisë së vet lidhur me procesin zgjedhor, siç dhe e ka rishikuar dhe korrigjuar bashkërisht me Prokurorin e shtetit”, tha Rexha.

Ai bëri të ditur se Policia e Kosovës ka bërë sigurimin e 963 tubime publike të subjekteve politike. Sipas tij, Policia e Kosovës vlerëson se ka pasur një fushatë në përgjithësi shumë të qetë.

Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokraci për Zhvillim, tha se drejtësia në zgjedhje është një faktor i rëndësishëm në procesin zgjedhor për të siguruar të drejtën e votës si të drejtë themelore, e cilat duhet të ushtrohet në mënyrë të lirë dhe pa pengesë.

Ai tha se një vend demokratik duhet të sigurojë mundësinë që qytetarët e tij të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve që janë të lira, të drejta dhe të ndershme.

Ndryshe, me përkrahjen e Institutit D4D është nënshkruar marrëveshje mes institucioneve relevante mbi procesin zgjedhor. Kjo marrëveshje ka bërë bashkë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Prokurorinë, Policinë, Komisionin Qendror Zgjedhor dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe zbatimit të procedurave për shkelësit e Ligjit mbi zgjedhjet dhe sigurimit të votës së lirë./21Media

Premtimi i Thyer i Kadri Veselit për Mos-Rrëzim të Qeverisë

by Erjonë Popova
NA NDIQNI

Send this to a friend