Xhavit Haliti - Foto: Facebook

Xhavit Haliti: S’jam i Implikuar në Tregtinë me Certifikata të Veteranëve

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti mohoi se është i përfshirë në atë që e quajti tregti me certifikate të veteranit të UÇK-së

“Dje (e mërkurë), disa media kanë raportuar sikur qenkam i implikuar në rastin e tregtisë me certifikata të veteranit të UÇK-së. Ky raportim nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën faktike”, shkroi Haliti në facebook.

Ai më tutje tregoi se nuk ka dëgjuar për personat që përfliten në këtë çështje

“Personat që përfliten në këtë rast, për mua janë thjeshtë të panjohur. Për ta nuk kam dëgjuar asnjëherë më parë”, vijoi Haliti postimin e tij.

Dje EULEX-i ngriti aktakuzë kundër gjashtë personave, disa nga të cilët sipas aktakuzës kanë falsifikuar certifikatat e veteranit të UÇK-së për shuma parash deri në 100 euro.

Haliti i bëri thirrje prokurorisë që ta sqarojë mospërfshirjen e  tij.

“Ftoj publikisht edhe prokurorinë që të deklarohet për këtë rast dhe të bëjë sqarimet e nevojshme”, shkroi Haliti.

Ai gjithashtu kërkoi që të hetohet çdo rast i keqpërdorimit me certifikata të veteranit.

“Duke e çmuar seriozitetin e çështjes, i bëj thirrje prokurorisë që të hetojë pa përjashtim çdo rast që ndërlidhet me keqpërdorime rreth certifikatës së veteranit të UÇK-së”, përfundoi Haliti.