Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vrasja Pas Konfliktit për Shitblerjen e Kafshëve

Kanë dalë para gjyqit dy nga tre të akuzuarit për vrasjen e Fahri Bunjakut vitin e kaluar në Podujevë.

Vrasja sipas prokurorisë ishte bërë për shkak të konfliktit rreth shitblerjes së kafshëve.

Për vrasjen e Bunjakut akuzohen Sadat, Fejard e Esat Llugaliu, por ky i fundit nuk ishte i pranishëm në gjykatë ngase po trajtohet Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kjo qendër i ka dërguar një raport gjykatës lidhur me trajtimin aty të Esat Llugaliut, i cili u plagos gjatë konfliktit mes të akuzuarve dhe tash të ndjerit Fahri Bunjaku.

Në seancë prokurorja e shtetit propozoi që të bëhet veçimi i procedurës për Esat Llugaliun.

“Propozoj që të bëhet veçimi procedurës penale ndaj Esat Llugaliut sepse gjendja e tij shëndetësore nuk ia mundëson të jetë i pranishëm gjatë mbajtjes se seancave gjyqësore ”,tha prokurorja.

Propozimi i prokurores u përkrah nga mbrojtësit e të akuzuarve, ndërsa gjykata vendosi ta veçojë procedurën ndaj Esat Llugaliut.

Më pas Sadat Llugaliu tha se e ndjen veten të pafajshëm.

“Nuk jam fajtor dhe i kundërshtoj të gjitha akuzat ndaj meje”, tha Sadat Llugaliu.

Ndërsa Fejard Llugaliu tha se tashmë e ka pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

“Sa i përket veprës penale vrasje e rëndë jam tërësisht i pafajshëm, ndërsa për veprën tjetër penale për të cilën akuzohem e kam pranuar fajësinë edhe në fazat e mëparshme”, tha Fejard Llugaliu.

Prokuroria Themelore në Prishtine i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armeve, sepse me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtëne ne drejtim të tij.

Sipas katakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e prokurorisë themelore.