Presidenti Hashim Thaçi dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel - Foto: Facebook/HashimThaci

Thaçi: Rizgjedhja e Merkelit, Lajm i Mirë për të Gjithë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur “i lumtur” që Angela Merkel është rizgjedhur për të katërtën herë në krye të Qeverisë gjermane.

Thaçi ka thënë se rizgjedhja e kancelares është një lajm i mirë për të gjithë, “sepse përfaqëson një lidership me vlerë për të cilin ka nevojë Gjermania dhe gjithë Evropa më shumë se kurdo tjetër”.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova do të jetë gjithmonë një partnere e besueshme dhe e përkushtuar për të ardhmen e përbashkët europiane.

Zgjedhjen për herë të katërt në krye të Qeverisë gjermane të Angela Merkel e ka përshëndetur edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Zgjedhja e Kancelares Angela Merkel në mandatin e katërt, lajm i shkëlqyeshëm edhe për Kosovën. Urime!”, ka shkruar ish-kryeministri Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Kancelarja Merkel ka bërë betimin sot pak kohë pas votimit të deputetëve.

Ajo ka marrë një mbështetje më të ngushtë nga deputetët se herën e kaluar.

Angela Merkel ka marrë besimin për ta drejtuar ekonominë më të fuqishme europiane gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

“Me ndihmën e Zotit do ta përdorë forcën time në shërbim të së mirës së popullit gjerman dhe do ta mbroj Kushtetutën dhe ligjet e federatës”, është betuar sot ajo sipas një informacioni të publikuar nga AFP.