Teuta Rugova: Vota Ime në Përputhje me Qëndrimin e LDK-së

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Teuta Rugova e ka qartësuar edhe njëherë qëndrimin e saj karshi Ramush Haradinajt, si kandidatë për kryeministër.

Ajo thotë se nuk do të veproj jashtë qëndrimit të LDK-së.

“Mendoj se deklarata ime e mëparshme është keqkuptuar nga disa në raport me qëndrimin tim sepse shumë thirrje e mesazhe më kanë ardhur me pyetje rreth votës time. Unë jam deputete e LDK-së dhe as tash nuk do të veproj as edhe kurrë më parë nuk kam vepruar jashtë qëndrimit të LDK-së”, ka shkruar Teuta Rugova në profilin e saj në Facebook.

Rugova, në postimin e parë, i kishte bërë thirrje LDK-së të përfshihet në qeverinë e gjerë.

“Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Rugova.

http://kallxo.com/teuta-rugova-flet-per-takimin-me-haradinajn/