Kurti emëron zëvëndësministër Resul Makreshin - DOKUMENT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Resul Makreshin zëvendësministër në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Makreshi që vjen nga Partia Ashkalive Për Integrim (PAI) ka qenë zëvëndësministër i MKRS-së në kohën e Ramush Haradinajt e gjithashtu edhe zëvëndësministër i shëndetësisë në Qeverinë Hoti.

Makreshi është emëruar pas lirimit të Qazim Rrahmanit nga ky post.

Qazim Rahmani ka kërkuar nga kryeministri lirimin nga detyra.

“Arsyeja e këtij vendimi është që subjekti im PAI ka parë të arsyeshme që kontributin im të jetë në një pozitë tjetër politike, andaj kontributi dhe angazhimi im nuk do të mungoj në të mirë të komunitetit dhe subjektit politik PAI-së”, ka shkruar Rrahmani në rrjetin social Facebook.

KALLXO.com raportoi javën që shkoi se kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar zëvendësministër të Financave Qazim Rrahmanin, i cili ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Qazim Rrahmani ishte dënuar në tetor të vitit 2018 për keqpërdorim të detyrës, derisa po punonte si zëvendësministër në Ministrinë e atëhershme të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Se është emëruar në këtë pozitë, ka njoftuar nëpërmes një statusi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, edhe vetë Makreshi, duke publikuar edhe vendimin e nënshkruar nga kryeministri Kurti.