Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Gucati e Haradinaj të premten seancë gjyqësore, Mustafa më 9 qershor

Të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, do të paraqiten në seancën e radhës e cila është përcaktuar të mbahet të premten, më 28 maj duke nisur nga ora 11:00.

Ndaras nga Gucati e Haradinaj, dhe në një ditë tjetër, më 9 qershor, në konferencën përgatitore do të dalë Salih Mustafa. Kështu është bërë e ditur nga Gjykata Speciale.

“Trupi gjykues në çështjen Mustafa vendosi të caktojë Konferencën përgatitore për gjykimin, në seancë të hapur, më 9 qershor në orën 09:30, e cila, nëse është e nevojshme, do të vazhdojë më 10 qershor”, thuhet në njoftim.

Për çështjen Mustafa, trupi gjykues gjithashtu vendosi të caktojë dy konferenca të tjera përgatitore për gjykimin, më 10 dhe 11 qershor, të cilat do të mbahen në seancë të mbyllur, thuhet në njoftim.