Haradinaj: Albin, a është Kosova në rrezik prej teje, si i rekrutuar nga shërbimet serbe?

Ramush Haradinaj, në seancën e sotme parlamentare, i është drejtuar me pyetje kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar të dijë nëse Kurti është i rekrutuar nga shërbimet serbe që nga koha kur ishte në burg në Serbi dhe nëse kjo përbënte rrezik për Kosovën. Pyetjet e Haradinajt, janë konsideruar fjalor i papërshtatshëm nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili i kërkoi atij që të ketë kujdes me fjalorin.

Haradinaj ka kërkuar të dijë se a është më në rrezik Kosova prej Kurtit apo nga çlirimtarët që kanë mbajtur pushkën në dorë.

“A je i rekrutum prej shërbimeve serbe gjatë kohës sa je mbajt në burg?. A mban Serbia diçka mbi ty që të mban peng? A është në rrezik Kosova prej teje si i rekrutum nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit tënd në burg apo nga çlirimtarët që janë detyruar me mbajt pushkën në dorë”, pyeti Haradinaj.

Gjithashtu ai ka kërkuar nga Kurti që të tregoj se çka i ka sjell Kosovës nga Brukseli.

“Kur shkon në Bruksel tregona t’lutna çka po i sjell Kosovës”, pyeti ai.

Pas këtyre deklaratave, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka kërkuar nga Haradinaj të ketë kujdes me fjalorin.