Të Pagjeturit i Mban Peng Politika

“Na kemi vërejtjet tona, kërkesat tona që kjo çështje të sensibilizohet, të futet edhe në tryezën e bisedimeve në nivele politike, sepse vlerësojmë se edhe më tutje çështjen e të pagjeturve peng e mban politika,” tha Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.

Në Kosovë që nga lufta e viteve 1998-1999 nuk dihet asgjë për fatin e afro 1 mijë e 700 personave, ndërsa sot nisi “Java e të Pagjeturve”.

Prenk Gjetaj tha se në terren po punohet në Kizhevak të Rashkës, por nuk ka gjetje të reja. Sipas tij këto punime zhvillohen në prezencën e ekspertëve kosovarë.

monument

Përfaqësuesi i familjeve të të pagjeturve Bajram Çerkini tha se përgjigjja që u jepet familjarëve është gjithmonë e njëjtë.

“Ne përgjigjen e kemi thuaja gjithnjë të njëjtë, ‘do të bëjmë çka mundemi me bo dhe çka është në domenin tonë’, përndryshe nuk i kanë duart e zgjidhura që të bëjnë aq sa duhet të bëhet edhe sipas kërkesave të familjarëve ende ka shumë pa punuar brenda në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Nuk mund të vlerësojmë mirë përderisa numri është 1 mijë e 668 vetë ende të pagjetur,” tha Çerkini.

Ibrahim Makolli  udhëheqës i delegacionit të Kosovës në takimet me Serbinë për të pagjeturit tha se Kosova po kërkon avancim të dialogut për të mësuar më shumë për fatin e atyre që mungojnë nga koha e luftës.

“Jemi të bindur se çështjet aq sa varen prej nesh do të kenë një zgjidhje të duhur dhe një drejtim të mirë. Ne tash kemi hyrë në javën e personave të pagjetur dhe do të donim që këto aktivitete edhe njëherë të na përkujtojnë një angazhim të madh karshi kësaj kategorie. Me një angazhim të përbashkët besojmë që kjo çështje do të gjejë një zgjidhje fatlume,” tha Makolli.