Prishtinë, gjenden mbetje mortore, dyshohet të jenë të një viktime të luftës së fundit

Në varrezat e lagjes “Mati”, në Prishtinë, janë gjetur mbetje mortore të një personi, të cilat dyshohet se i takojnë luftës së fundit në Kosovë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur (KQPZh), Kushtrim Gara.

“Nga gërmimet që janë realizuar sot ka qenë vazhdim i gërmimeve të realizuara ditë më parë, janë hasur mbetje mortore të minimumi një personi. Në bazë të rrethanave të rastit kemi konkluduar që bëhet fjalë për viktimë të luftës”- ka thënë Gara për KALLXO.com.

Ai ka njoftuar se janë në kërkim edhe të mbetjeve mortore të një trupi tjetër që dyshohet të gjendet në të njëjtin lokacion.

“Kjo është hera e katërt që jemi rikthyer (në këtë lokacion) meqë nga të dhënat që posedonim kemi konkluduar që në këtë hapësirë të varrezave të lagjes “Matiqan” në Prishtinë duhet të jenë edhe mund të jenë mbetjet mortore si eshtrat apo kufomat e dy personave viktima të luftës nga grupi prej tetë personave të cilët forcat serbe gjatë muajve prill-maj i kanë bartur kufomat nga Spitali i Prishtinës në këtë hapësirë të varrezave…” – ka bërë të ditur Gara.

Ai tutje ka njoftuar se gërmimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, përpjekjet e gjetjes dhe zhvarrosjes së viktimës tjetër të luftës.

Mbi 1,600 persona ende janë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.