Stabilizim-Asociimi Bashkon Pozitën dhe Opozitën

Mbledhja e parë e Komisionit për Stabilizim-Asociim ka bërë sot bashkë pozitën dhe opozitën parlamentare kosovare.

Pas mbledhjes, e cila ishte e mbyllur për media, Xhavit Haliti tha se Komisioni i ri parlamentar miratoi agjendën e takimit që, sipas tij, do të mbahet më 16 dhe 17 maj në Kuvendin e Kosovës.

“Ne jemi Komision i ri. Sot e kemi mbajtë mbledhjen e parë të konstituivit. Detyra jonë kryesore është të shohim mundësinë e bashkëpunimit me Qeverinë dhe ta ngrisim zërin për çështjet të cilat nuk janë duke u realizuar dhe ta themi atë që është duke u realizuar. Shpresojmë që në takimet e ardhshme do të kemi më shumë informacione. Besoj që të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me zbatimin e MSA-së e kanë marrë seriozisht këtë çështje dhe do t’i kryejnë detyrat e shtëpisë”, tha Haliti.

Lidhur me pjesëmarrjen e opozitës në mbledhjen e Komisionit për Stabilizim-Asociim, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës tha se partitë opozitare, veçanërisht Vetëvendosje, gjithmonë kanë marrë pjesë në të gjitha takimet që kanë karakter ndërkombëtar.

“Në takime të tilla nuk ka pozitë-opozitë. Të gjithë kanë treguar gatishmëri. Edhe kur është hedhë gaz në Parlament ne kemi shku si delegacion i Kuvendit të Kosovës edhe në Këshillin e Evropës, edhe në Parlamentin Evropian, edhe në takimet bilaterale që janë organizuar përmes Parlamentit të Kosovës”, theksoi Haliti.

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu deklaroi se Komisioni për Stabilizim-Asociim është formuar nga Bashkimi Evropian dhe se çdo gjë që shkon në favor të shtetit të Kosovës AAK nuk do ta bojkotojë.

“Sa i përket ardhjes së opozitës në Komisione ju e dini që e kemi një vendim, me i bojkotu seancat dhe komisionet parlamentare. Mirëpo, kjo është jashtë Kuvendit të Kosovës, jashtë interesave partiake, është për të mirën e vendit, për shtetin e Republikës së Kosovës dhe ne këtu jemi dakorduar që gjithçka çka shkon në favor të mirë të shtetit, të forcimit të shtetit, ne do të marrim pjesë dhe do të japim kontributin tonë”, tha Lekaj.

Pos Pal Lekajt nga AAK në mbledhje të Komisionit për Stabilizim-Asociim ishte prezent edhe Ilir Deda nga Vetëvendosje si dhe Valdete Bajrami nga NISMA.

Më 14 mars, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte konfirmuar vendimin e subjektit të tij se nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit të Kosovës. Të njëjtin vendim e kishte marrë edhe Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt.