Shtetet Ballkanike Pësojnë Rënie në Lirinë e Mediave

“Reporterët pa Kufij” që avokojnë lirinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve, thotë në Indeksin e Lirisë së Shtypit në Botë për vitin 2017 që u publikua të mërkurën se ka pasur ngecje të mëdha gjatë vitit të kaluar në Kroaci dhe Serbi, megjithëse Maqedonia ende ka problemet më të mëdha në rajonin e Ballkanit.

Kroacia u rendit e 74-ta në renditjen botërore të organizatës, duke zbritur për 11 vende, ndërsa Serbia u rendit e 66-ta, për shtatë vende më poshtë.

“Reporterët pa Kufij” thanë se në Kroaci “gazetarët që hetojnë korrupsionin, krimin e organizuar apo krimet e luftës shpesh i nënshtrohen fushatave të ngacmimit”.

Ai tha gjithashtu se liria e shtypit në Serbi ka “rënë që kur Aleksandër Vuçiq, ish ministri i informimit i Sllobodan Millosheviçit, u bë kryeministër në maj të vitit 2014”.

Maqedonia u rendit më së poshti nga vendet e Ballkanit në vendin e 111, megjithëse u rrit me shtatë vende nga viti i kaluar.

“Liria e medias ka rënë në të gjithë rajonin, por erozioni i sundimit të ligjit ka qenë më i dukshmi në Maqedoni”, thanë Reporterët pa Kufij.

Bullgaria ishte e dyta më së poshti nga Ballkani, në vendin e 109 – “më poshtë se çdo anëtar tjetër i BE-së” – megjithëse u rrit katër vende nga viti i kaluar.

Nga shtetet e Ballkanit, Kosova tregoi rritjen më të madhe në renditje, duke u ngjitur për tetë vende nga viti i kaluar, në vendin 82 këtë vit.

Por Rumania ishte vendi i renditur më së larti në Ballkan, në vendin e 46-të, duke përparuar me tre pozicione nga viti i kaluar.

Bosnja dhe Hercegovina vjen e dyta në vendin e 65-të, më poshtë për tre vende, ndërsa Shqipëria u rendit e 76-ta, gjashtë pozita më lartë, dhe Mali i Zi e ka mbajtur vendin e 106-të.

Reporterët pa Kufij thanë se raporti pasqyroi një botë në të cilën sulmet ndaj mediave janë bërë të zakonshme dhe të fortit janë në rritje.

“Kemi arritur epokën e post së vërtetës, propagandës dhe shtypjes së lirive- veçanërisht në demokraci”, thuhet aty.

Indeksi i saj vjetor i shtypit botëror rendit 180 vende duke përdorur kriteret e pluralizmit, pavarësisë së medias, mjedisit medial dhe vetë-censurës, mjedisit ligjor, transparencës, infrastrukturës dhe abuzimeve.