Foto: Ilustrim

I Riu Bën Lajmërim të Rremë për Grabitje

Policia e Prizrenit njoftoi se ka zbuluar se një rast i grabitjes, për të cilin ishte ankuar i riu me inicialet A.B., ishte i rrejshëm.

Sipas rreshterit Vesel Gashi, rasti i “grabitjes” ishte lajmëruar sot rreth orës 12:20 në stacionin policor në Prizren – Veri.

Gashi tregoi se i riu A.B. kishte thënë se përderisa ishte në rrugën “Aziz Kelmendi”, në afërsi të varrezave në lagjen “Arbana”, duke e drejtuar automjetin pronë e kompanisë ku punon, e kanë ndaluar dy persona të panjohur për të, njëri  prej të cilëve i hyn në automjet, e sulmon fizikisht duke e goditur me grushte dhe më pas nën kërcënimin e armës ia merr atij rreth 4,000 euro para.

Zyrtari policor tregoi se gjatë bisedës me ankuesin, hetuesit kanë arritur që të zbulojnë se ai ka bërë deklarim të rremë, respektivisht se rasti nuk ka ndodhur fare.

Sipas Gashit i dyshuari A.B. në prezencë të avokatit mbrojtës ka pranuar se ka trilluar rastin e paraqitur në polici.

“Përderisa rasti si “Grabitje” tani ri-kualifikohet  si vepër penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë””, tha Gashi, duke shtuar se për këtë rast është është informuar prokurori i shtetit, i cili ka sugjeruar që rasti të procedohet me procedurë të rregullt.