Abelard Tahiri | Foto: KALLXO.com

Rishikohen 19 Nene të Kodit për Rastet e Korrupsionit

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri duke prezantuar Kodin e ri Penal, tha se janë rishikuar 19 nene në pjesën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në veprat që hyjnë në kuadër të korrupsionit e krimit janë rishikuar 19 nene, këto nene janë nga kontrabandimi deri te mashtrimi, marrja e dhënia e ryshfetit, duke e parandaluar kështu krimin e korrupsionin”, tha Tahiri.

Sipas ministrit me Kodin e ri Penal gjykatave do t’u jepet më shumë kohë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tahiri tregoi edhe për sa kohë do t’u ndalohet ushtrimi i profesionit zyrtarëve të dënuar.

“Ne kemi hartuar një koncept-dokument për ata zyrtarë që kanë aktakuza. Atij nëse ka raste ku dënohen për diçka t’i ndalohet që ai të punojë ose të ushtrojë funksion publik deri në 10 vjet pasi t’i ushtrohet dënimi”, tha Tahiri.

Deri tash me Kodin Penal zyrtarëve të dënuar u është ndaluar ushtrimi i funksioneve nga 1 deri në 5 vjet.

Tahiri deklaroi se sa i përket përfitimit të pasurisë së paligjshme ka ndryshime në aspektet e shmangies së tatimit.

Ministri nuk dha shifra për pasurinë e konfiskuar, pasi tha se proceset janë duke vazhduar.

“Sa i përket shifrave të pasurive të konfiskuara, nuk mund të jap shifra pa përfunduar procedurat dhe proceset. Është e pandërgjegjshme nga ana ime të them shifra për njerëzit që ende nuk i kemi përfunduar procedurat”, tha Tahiri.

Ai foli edhe për vjetrimin e veprave penale. Tha se ata që kryejnë vepra penale nuk do të kalojnë pa u dënuar.

“Sa i përket parashkrimit të veprave, ata që nuk e kryejnë punën e tyre siç e kanë, do t’i pamundësojmë dhe personat qe kane kryer vepra të ndryshme nuk do të kalojnë pa u dënuar për veprat që kanë kryer”, tha Tahiri.

Ai Kodin e ri Penal e vlerësoi në pajtim me standardet europiane, ndërsa paralajmëroi se kodi nesër do të shqyrtohet në mbledhjen e qeverisë.

“Nesër do të jetë në mbledhjen e qeverisë dhe më pas do të procedohet në Kuvend. Do të jem në vazhdimësi në bashkëbisedim me kryetarin e Kuvendit që të procedohet sa më shpejt”, tha Tahiri.