Pyetjet për Luftën ‘u Shtypën’ Gjatë Vizitës së Vuçiçit në Kroaci, Thonë Deputetët

Deputetë të opozitës në Kroaci kritikuan zyrtarët në Zagreb të cilët udhëzuan gazetarët të mos e pyesnin presidentin serb Aleksandar Vuçiq për retorikën e tij nacionaliste gjatë luftërave të viteve 1990.

NDËRLIDHUR

Disa deputetë kroatë të opozitës të martën kritikuan zyrtarët që u thanë gazetarëve të mos e pyesnin Aleksandar Vuçiçin për retorikën e tij polemike gjatë luftërave të viteve 1990 gjatë një konference për shtyp që pasoi takimin e tij me presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviq.

Më i zëshmi ishte Bojan Glavaseviq, një deputet i Partisë Social Demokrate të opozitës, SDP, i cili citoi raportet e mediave në të cilat gazetarët ishin udhëzuar në mënyrë specifike nga zyra e presidentes kroate që të mos e pyesnin Vuçiqin për një deklaratë që ai bëri në qytetin kroat të Glinës në mars 1995.

Në Glina, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin e serbëve rebelë të Kroacisë, Vuçiq foli në një takim publik dhe tha: “Shteti ustash s’do të vijë më kurrë këtu.”

Fjalimi prej katër minutash në Kroaci shihet gjerësisht si nacionalist.

“Fakti që presidentja kroate i ndaloi gazetarët ta pyesnin Vuçiqin për fjalimet e tij luftënxitëse ishte një poshtërim dhe një shuplakë në fytyrën e çdo viktime të luftës,” tha Glavaseviq në parlament të martën.

Ai u shpreh se “Kroacia u poshtërua” nga vizita e Vuçiqit, pasi ai nuk erdhi si mik ose “nuk kishte ndonjë qëllim të mirë ndaj Kroacisë”.

Babai i Glavaseviqit, gazetari radiofonik Sinisa Glavaseviq, u vra në nëntor 1991, pasi qyteti lindor kroat i Vukovarit u mor nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë.

Kur u njoftua për herë të parë se Vuçiq do të vinte në Zagreb, Glavaseviq përmendi çështjen sesi Partia Progresiste Serbe e Vuçiqit kishte ftuar Veselin Sljivancaninin, një ish-oficer i Ushtrisë Popullore Jugosllave i dënuar nga Gjykata e Hagës për përgjegjësinë për masakrën e Vukovarit në vitin 1991, në eventet e partisë së tij.

“Vuçiqi është njeriu që ende edhe sot është mik me Veselin Sljivancanin, kasapin e vërtetuar ligjërisht të Vukovarit,” tha Glavaseviq në fjalimin e tij të martën.

“Ka një rrugë drejt pajtimit, por Vuçiq dhe Grabar Kitaroviq nuk mund të na udhëheqin në atë rrugë. Vetëm njerëzit e mirë mund të na udhëheqin në këtë rrugë,” shtoi ai.

Miro Bulj, një deputet opozitar nga Ura e Listave të Pavarura, MOST, kritikoi gjithashtu vizitën e Vuçiqit, duke thënë se ai i tha Vuçiçit të shkonte në Glina ndërsa ai kalonte në korridoret e parlamentit të hënën.

Vuçiq të martën vizitoi komunitetin serb në qytetin e Vrginmost në Kroacinë qendrore. Bulj tha se ai “duhet të shkojë në Glina dhe t’u kërkojë falje njerëzve me etni serbe”.

Ai theksoi se Vuçiq ishte një anëtar i Partisë Radikale Serbe gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Në një artikull për Politico të martën, Vuçiq përmendi shkurtimisht të kaluarën e tij të kohës së luftës pa kaluar në gjëra specifike.

“Si i ri që isha atëherë, nuk e kuptova se çfarë mund të fitohej nga bashkëpunimi mes vendeve të ndara. Por tani e di që vendi im pagoi një çmim të lartë për ekseset nacionaliste,” shkroi ai.

Artikulli fliste për një bashkëpunim më të madh ekonomik midis vendeve të Ballkanit, duke i bërë thirrje atyre “të përqendrohen në atë që na lidh bashkë”.

“Çështjet që na bashkojnë janë shumë më të forta sesa ato që na ndajnë,” shkroi Vuçiq.

14 Shkurt 2018 - 09:14

Sven Milekiq, BIRN Zagreb 14/02/2018 - 09:14
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight