Pse BE Nuk Pranoi që Pensionet të Bëhen Pjesë e Dialogut Kosovë- Serbi?

Sipas Dren Zekës, Këshilltar i Ministres për Dialog, Edita Tahiri,  pala kosovare kishte propozuar që tema e pensioneve të kosovarëve në Serbi të ishte temë dialogu në mes të dy shteteve.

Zeka ka folur për arsyen pse borxhet e Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës nuk u bënë pjesë e dialogut Kosovë- Serbi që po zhvillohet në Bruksel nga viti 2011.

“Që nga fillimi i dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë pala jonë e kemi prezantuar një listë me tema që duhet të shtrohen për tu diskutuar në dialog dhe në mesin e tyre ka qenë edhe çështja e kthimit të Fondit Pensional dhe Invalidor i cili është marrë nga ana e Serbisë në Kosovë pas përfundimit të luftës” , tha Zeka.

Për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Dren Zeka tha se ndërmjetësuesi i dialogut, Bashkimi Evropian, kishte konsideruar temën e pensioneve si ‘të rëndë’ për fillimin e dialogut.

“Që të bëhet një temë diskutimi në dialog duhet të pajtohen të tre palët edhe BE-ja dhe Serbia. Në atë kohë, ndërmjetësi Robert Cooper ka konsideruar tema të tjera të cilat kanë qenë më të lehta të adresohen për fillim”, tha Dren Zeka.

Emisionin e plotë për borxhet e Serbisë ndaj pensionistëve kosovarë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: