(VIDEO) Marsh me maska për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm

Me maska dhe moto “Çohu për të drejtat e njeriut” dhjetëra njerëz kanë marshuar në sheshet kryesore të Prishtinës në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Ky marsh është organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me shoqërinë civile në Kosovë, për të tretin vit me radhë.

Marshi pati për qëllim dërgimin e një mesazhi për angazhim më të shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Këtë vit, ky marsh i dha theks të veçantë mbrojtjes së të drejtës për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.

Marshuesit, për dallim prej herave të tjera të marshimit për shënimin e kësaj dite, sot vendosën maska si simbolikë të marshimit.

Përfaqësuesja e shoqërisë civile, Jeta Xharra, tha se në Kosovë ajri i ndotur ka shkaktuar që të zvogëlohet jetëgjatësia deri në dhjetë vjet.

Xharra ka shtuar se ajri i ndotur po ndikon edhe në zhvillimin e trurit të fëmijëve duke bërë që ata të kenë suksese më të vogla në mësime.

“Sot ne dalim në këtë shesh me protestu duke thënë se veç pse jemi qytetarë të lirë prej armikut nuk domethënë që jeta jonë nuk është duke na u shkurtuar në baza ditore, sot qytetarët e Kosovës jetojnë 10 vite më pak se qytetari evropian e kjo është një mbytje e ngadalshme që nuk është duke na e bërë më Serbia por po ja bëjmë vetvetes”, tha Xharra.

Duke përshkruar sheshin e kryeqytetit dhe shtëpizat që penguan marshuesit deri te vend- ndalimi, ajo shtoi se Kosova nuk ka nevojë për kafiteri të reja, por për lisa e drunj që të zvogëlohet ndotja e ajrit.

“Kosova nuk ka nevojë për këto shtëpiza, janë 20 të vendosura në sheshin Skënderbeu e 20 të tjera këtu ku jemi, vetëm dy prej tyre patën vazo me lule të ndryshme, ne nuk kemi nevojë për xixa e bredha të plastikës, por për drunj e lisa që mos me u tut me dalë e me ec në këtë kohë dimri”, shtoi ajo.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se Kosova ka probleme të të drejtave të elementare të njeriut si sigurimi i ujit të pijshëm për qytetarët si dhe menaxhimi i mbeturinave.

“Tema që është përzgjedhur për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ka të bëjë me ajrin e pastër, shqetësimet e kosovarëve vazhdojnë të jenë lidhur me ndotjen e ajrit si problemin më madhor në vend, problem tjetër janë hidrocentralet e vazhdueshme dhe mungesa e ujit të pijshëm, vazhdon degradimi i lumenjve dhe derdhja e ujërave të zeza në lumenj është sfidë për shumë vendbanime në Kosovë pasi numri i impianteve mbetet i kufizuar”, tha Jashari.

Jashari ka përmendur edhe menaxhimin e mbeturinave dhe keqmenaxhimin e tyre, duke shtuar se institucionet e drejtësisë ende nuk po i japin përparësi lëndëve që kanë të bëjnë me temën e mjedisit, duke shpresuar se mjedisi do të jetë ndër temat kryesore të qeverisë në ardhje.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.