Dështon zgjedhja e dy gjyqtarëve të Kushtetueses, Kuvendi vendos ta përsëris konkursin

Pas tre rundeve të votimit Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë dy kandidatët për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë arsye është vendosur që të përsëritet konkursi për dy pozita në këtë gjykatë.

“Asnjëri prej kandidatëve nuk e kanë marrë numrin e mjaftueshëm të votave për t’u zgjedhur. Ne themi që të përsëritet konkursi. Kërkohet nga komisioni përkatës t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për publikimin e thirrjes për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Pas dështimit të përzgjedhjes së kandidatëve në dy rundet e para, në rundin e tretë, në votim shkuan kandidatët Ertur Maloku i cili mori 43 vota, Bardh Bokshi 41 vota dhe Hilmi Jashari i cili mori 18 vota.

Në rundin e tretë të votimeve, votuan 79 deputetë.

Asnjëri nga kandidatët e propozuar nuk ka arritur të marrë 2/3 e votave të deputetëve për t’u përzgjedhur kandidatë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Më 30 korrik të këtij viti, Komisioni ia kishte rekomanduar Kuvendit gjashtë kandidatë për përzgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Hilmi Jashari, Etrur Maloku, Bashkim Hyseni, Vigan Qorrolli, Bardh Bokshi dhe Shukri Sylejmani, janë emrat e propozuar për këto dy pozita.

Ndërsa Adnan Rrustemi nga komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, sot ka njoftuar se kandidati Bashkim Hyseni është tërhequr nga procesi i rekrutimit për gjyqtar dhe kanë mbetur vetëm 5 kandidatë.

Kuvendi fillon procesin e votimit për kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese