Avokati i Popullit: Zbulimi i  videove nga burgu i Deharit, shkelje e etikës profesionale

Videot që qarkulluan në media nga Qendra e Paraburgimit në Prizren në ditën kur vdiq aktivisti Astrit Dehari po cilësohet shkelje e rëndë nga Avokati i Popullit.

Hilmi Jashari në emisionin “Jeta në Kosovë”, përsëriti qëndrimin e këtij institucioni që shkeljet e para që ishin bërë pas vdekjes së Deharit janë kontradiktat në deklarata dhe publikimi i xhirimeve.

“Ne kemi pasur një qëndrim. Mosrespektimi i dhimbjes së familjes Dehari me deklarata kontradiktore nga zyrtarët e autoriteteve shtetërore si dhe rrjedhja dhe zbulimi i xhirimeve nga Qendra e Paraburgimit në kohën kur ka ndodhë vdekja e Astrit Deharit janë shkelje të rënda të etikës profesionale”, tha Jashari.

Ai po ashtu foli lidhur me konstatimin e autoriteteve se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje.

“Ne gjatë hetimit të këtij rasti, kur është bërë vizita te psikologia e burgut është aluduar që nuk ka pasur asnjë shenjë indikativë që aludon që mund të ketë pasë tendenca vetëvrasëse apo simptoma”, tha Jashari.

Për këtë temë sonte flasin: Besim Kelmendi, Prokuror; Riza Shillova, Policia e Kosovës; Hilmi Jashari, Ombudsperson; Rifat Marmullaku ,OSBE; Fatmire Haliti, QKRMT dhe  Kreshnik Gashi, KALLXO.com.

Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni emisionin e plotë:

 

Historiku i vdekjes së Astrit Deharit

 

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Ky institut pas analizimit të të gjitha provave dhe pas pranimit të dosjeve me dëshmi e deklarata për vdekjen e Astrit Deharit, në raportin e dërguar në Kosovë në muajin tetor, nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.