Prokurorja: Gjykata Speciale Është Detyrim Ndërkombëtar i Kosovës

Prokurorja speciale e Kosovës, Drita Hajdari, tha se vendi duhet ta mbështesë Gjykatën Speciale me bazë në Hagë për të përmbushur detyrimet e saj ndaj komunitetit ndërkombëtar

Drita Hajdari tha në një debat në Prishtinë të mërkurën në mbrëmje se Kosova është e detyruar të mbështesë Dhomat e reja të Specializuara, të ngritura në Hagë për të ndjekur penalisht ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe pas luftës.

“Çështja e krimeve të luftës nuk mund të jetë një çështje e izoluar vetëm për Kosovën,” tha Hajdari.

“Është kontinuitet në aspektin e të drejtës penale ndërkombëtare dhe kur flitet për Gjykatën Speciale, ky element nuk guxon të anashkalohet sepse Kosova është pjesë e botës,” shtoi ajo.

Ajo tha se ishte e dhimbshme të dëgjonte njerëzit teksa sugjerojnë se ekzistenca e Dhomave të Specializuara, që është pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por me personel ndërkombëtar, tregon dështimin e gjykatave dhe prokurorëve vendas.

“Ajo që më lëndon janë deklarata nga disa njerëz që pohojnë se krijimi i Gjykatës Speciale përfaqëson dështimin e prokurorisë dhe gjykatave të Kosovës, duke na etiketuar si të papërgatitur dhe të paguximshëm,” shpjegoi ajo.

Debati mbi gjykatën e re, i organizuar nga faqja e internetit Kosova 2.0, vjen mes përpjekjeve të vazhdueshme të deputetëve të Kosovës nga partitë e koalicionit qeverisës për të revokuar ligjin që lejon funksionimin e Gjykatës Speciale.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë shprehur shqetësim në lidhje me përpjekjen për të dëmtuar gjykatën dhe paralajmëruan se kjo do të mund ta izolonte Kosovën ndërkombëtarisht.

Glauk Konjufca, kreu i grupit parlamentar të partisë opozitare Vetëvendosja, tha se përpjekja për të ndalur Dhomat e Specializuara ishte maskuar si një nismë nga deputetët në mënyrë që zyrtarë të lartë të Kosovës të cilët dikur ishin figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mund t’i shpëtojnë ndjekjes penale.

“Vetëvendosja nuk pranoi të ishte pjesë e revokimit të ligjit që lejon funskionimin e Gjykatës Speciale në një mënyrë kaq të rrezikshme dhe eksperimentale, ku shqetësimi ka të bëjë me individët dhe jo në lidhje me atë që do të dëmtojë Kosovën,” tha Konjufca të mërkurën.

Nisma për të sfiduar ligjin erdhi pasi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisën një peticion duke e quajtur gjykatën e re diskriminuese, pasi ajo do të gjykojë ish-guerilasit shqiptarë të Kosovës, jo anëtarë të forcave serbe që kryen mizori gjatë luftës.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha se organizata e tij e mbështet gjykatën e re, sepse kanosja ka dëmtuar përpjekjet për të gjykuar krimet e luftës brenda Kosovës.

“Gjatë këtyre proceseve gjyqësore, kemi vënë re se sa herë që ka pasur raste të dyshuara për krime të kryera nga ish-luftëtarët e UÇK-së – dhe në shumicën e rasteve kundër shqiptarëve, në disa raste viktimat ishin edhe serbë – familjet e viktimave nuk patën kurajë as të vinin dhe t’i monitoronin ato gjyqe,” shpjegoi Blakaj.

Ai shtoi se dëshmitarët janë kërcënuar për të mos i lejuar të thonin të vërtetën dhe në shumicën e rasteve ka rezultuar me sukses.

“Dëshmitarët kanë ndryshuar deklaratat e tyre në seancën kryesore duke e krahasuar atë që nga faza hetimore. Viktimat janë margjinalizuar dhe vetëm pak prej tyre kanë parë drejtësi. Sidomos ata nga komuniteti serb,” tha ai.