Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit të Gjykatës së Hagës. Foto: ICTY.

Prokurorët Kërkojnë Dënim Shtesë për Gjenocid për Mlladiqin

Prokurorët në Gjykatën e Hagës apeluan vendimin kundër ish-kreut ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq, duke bërë thirrje që ai të dënohet për gjenocid edhe në pesë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Prokuroria të enjten njoftoi apelin e saj kundër vendimit të shkallës së parë në rastin Ratko Mlladiq duke i bërë thirrje gjykatës së OKB-së që ta dënojë atë për gjenocid kundër boshnjakëve dhe kroatëve në pesë komuna të tjera në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Hagës e dënoi ish-komandantin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës Mlladiq me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, persekutim të kroatëve dhe boshnjakëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Por Gjykata e liroi Mlladiqin nga gjenocidi në vitin 1992 në pesë komuna të tjera – Foca, Kotor-Varos, Prijedor, Sanski Most dhe Vlasenica.

Sipas vendimit të shkallës së parë, gjykatësit e Gjykatës së Hagës vendosën me shumicë votash që pjesëtarët e forcave serbe kishin “qëllim gjenocidal” për të shkatërruar boshnjakët dhe kroatët si grupe etnike në ato komuna.

Por, edhe pse “një numër i madh i myslimanësh dhe kroatësh u vranë ose pësuan lëndime të rënda trupore”, gjykata vendosi që viktimat nuk përbënin “pjesë thelbësore” të këtyre grupeve etnike në komuna, kështu që kushti për klasifikimin e krimit gjenocidi s’ishte përmbushur.

Vendimi tha gjithashtu se Mlladiqi dhe pjesëmarrësit e tjerë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale nuk kishin qëllimin gjenocidial për të shkatërruar boshnjakët dhe kroatët në këto pesë komuna.

Në apelin e saj, prokuroria i bën thirrje dhomës së apelit të gjykatës të arrijë në përfundimin se “një pjesë e konsiderueshme” e popullsisë boshnjake dhe kroate ishte objektivi i forcave të Mlladiqit në pesë komunat.

Ajo i bën thirrje gjithashtu gjykatës të rrëzojë përfundimin e saj se Mlladiqi nuk kishte qëllime gjenocidale në pesë komunat.

Mbrojtja e Mlladiqit gjithashtu paraqiti një vendim kundër vendimit të shkallës së parë, duke i kërkuar gjykatës ta anulojë vendimin për shkak të një  sërë gabimesh ligjore dhe faktike.

Mbrojtja kërkon që gjykata ta lirojë Mlladiqin nga të gjitha akuzat ose të urdhërojë rigjykimin e çështjes.

Sipas avokatëve mbrojtës, Gjykata gabimisht vendosi se ekzistonte një sipërmarrje e përbashkët kriminale në të cilën mori pjesë Mlladiq. Vendimi tha se qëllimi i sipërmarrjes kriminale ishte largimi i përhershëm dhe me forcë i popullsisë jo-serbe nga pjesë të mëdha të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilat liderët serbë të Bosnjës i pretendonin si territore serbe.

Mbrojtja tha gjithashtu se n vendim thuhej se në Srebrenicë dhe Sarajevë kishte një sipërmarrje të përbashkët kriminale dhe kjo ishte e gabuar.

Ajo më tej këmbëngul në apelin e saj se Mlladiqi nuk ishte protagonist në një tjetër sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Avokatët mbrojtës të Mlladiqit pretendojnë se ai nuk pati një gjykim të drejtë sepse të drejtat e tij “ishin shkelur rëndë”.