Kryetari në detyrë i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë tubimit të mbrëmshëm në Prishtinë. Foto: Facebook

PDK Përgatitet për ‘Festën’ e 8 Majit

Deputetë dhe ministra të PDK-së të cilët pak orë më parë kishin lënë të zbrazët sallën e Kuvendit ku po mbahej seancë plenare, e mbushën plot një sallë të një hoteli në Prishtinë, krejt afër ndërtesës së Kuvendit për ta përshëndetur pretendentin e vetëm për kryetar të kësaj partie, Kadri Veseli.

Në tubimin me degët e PDK-së në Prishtinë, në kuadër të turit të tij promovues nëpër Kosovë, Veseli falënderoi kryetarin e partisë tashmë të inauguruar në President, Hashim Thaçin, i cili udhëhoqi partinë për 16 vjet.

“Jemi krenarë për procesin nëpër të cilin kemi kaluar, i falënderoj të gjithë ata që na kanë përkrahur deri më tani, por edhe ish- kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi”, tha Veseli.

“Duhet të bëjmë edhe më shumë sepse na pyesin se cili është vizioni juaj dhe ne u tregojmë se vizioni ynë është zhvillimi ekonomik sepse për ta forcuar këtë do të bëjmë edhe më shumë për vendin tonë”, u shpreh ai.

Ai tha se PDK do të angazhohet që ta forcojë sistemin shëndetësor në vend në mënyrë që “qytetarët të shkojnë te mjekët në Kosovë e jo jashtë”.

Lirak Çelaj, kryetar i degëve të PDK-së në Prishtinë tha se themeluesit e PDK-së “janë njerëz që kanë pasur një aktivitet kombëtar, e të cilët kanë luftuar për çlirimin e Kosovës”.

“Shumë shpesh PDK është shpallur me disa vendime që shpesh herë nuk kanë qenë vendime populiste. Këto ditë po ndërrojmë lidershipin. Duke e pasur parasysh veprën e tij, ky njeri është më  duhuri që të udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës”, tha Çelaj duke folur për Kadri Veselin.

Ndërsa nënkryetari i PDK-së, memli Krasniqi tha se kjo parti di të jetë e konsoliduar dhe të përballet me sfidat që, sipas tij, synojnë ta çojnë shtetin përpara.

“Më 7 maj do të mbahet Konventa por më 8 maj do të festohet për zgjedhjen e kryetarit”, tha Krasniqi.