Parim Olluri - Foto: KALLXO.com

Partitë Politike Dënojnë Sulmin ndaj Gazetarit Olluri

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj drejtorit të portalit “Insajderi”, Parim Olluri. Lajmin për sulmin ndaj Ollurit kreu i LDK-së e ka quajtur shumë shqetësues.

“Në një shoqëri, në të cilën duhet të kultivohet e drejta e fjalës publike, aktet e tilla janë të ulëta, të papranueshme dhe të dënueshme”, ka theksuar Mustafa në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Mustafa ka thënë po ashtu se beson shumë në efikasitetin e organeve shtetërore për të sjellë para drejtësisë akterët e dhunës.

Zbardhjen e rastit të sulmit ndaj gazetarit Parim Olluri e ka kërkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Sulmi ndaj gazetarëve është i papranueshëm e patolerueshëm. Lajme të tilla, sikur ky për sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri, që tregon edhe për cenim të shprehjes së lirë dhe sigurisë fizike të gazetarëve, na lëndojnë të gjithëve”, thekson Vetëvendosje në një komunikatë.

Vetëvendosje u bën thirrje prganeve të drejtësisë ta zbardhin sa më shpejt këtë rast duke e trajtuar me prioritet.

VV i uron shërim gazetarit Parim Olluri dhe bashkëshortes së tij dhe shpreson ta tejkalojnë lehtësisht këtë ngjarje.

Sulmin fizik ndaj Parim Ollurit e ka dënuar edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli. Në një postim në “Facebook” Pacolli ka kërkuar drejtësi dhe siguri për gazetarët dhe mediat.

“Pavarësia mediale nuk duhet ti pengojë askujt, ndërsa hienat që sulmojnë natën duhet të nxirren para drejtësisë për të marrë ndëshkimin e merituar”, ka shkruar Pacolli.