Foto: Arkiv

PAN Kërkon të Shtyhet Propozimi për Kryetar të Kuvendit

Grupi Parlamentar PDK-AAK-NISMA ka kërkuar kohë shtesë për emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Përfaqësuesi i grupit të deputetëve, Enver Hoxhaj, kur doli në foltore për ta dhënë emrin e kandidatit, kërkoi të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës.

“Ne si koalicion kërkojmë që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për dy orë meqë na duhen konsulta shtesë me partnerët e koalicionit. Pas dy orësh kthehemi në sallë”, tha Hoxhaj.

Teuta Rugova ka votuar në favor të këtij propozimi duke u ndarë nga grupi parlamentar i LDK-së.

Adem Mikullovci, si drejtues i seancës e hodhi në votim këtë propozim. Duke qenë se propozimi mori 60 vota në favor dhe 60 kundër, ai nuk u miratua.