Foto: MFSK

Oficerë të FSK-së në Mbretërinë e Bashkuar

Komandanti i FSK-së Rrahman Rama dhe këshilltari i tij ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar nënkoloneli Gregor Lindsay, përcollën tre oficerët e rinj të FSK-së- nëntogerët Besfort Kurteshi e Eugen Thaçi dhe togerin Ismail Hoxha në një trajnim profesional në Mbretërinë e Bashkuar.

Dërgimi i oficerëve të FSK-së për trajnim profesional në Mbretërinë e Bashkuar shënon fillimin e një viti të suksesshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Këta pjesëtarë të FSK-së paraqesin shembullin e rritjes së FSK-së duke dëshmuar se udhëheqësit e saj të rinj janë oficerë profesionistë të gatshëm për sfidat që i presin në të ardhmen, thuhet në njoftimin e dërguar nga FSK.

Nëntogeri Besfort Kurteshi do të jetë pjesë e Akademisë Ushtarake Mbretërore Sandhurst.

Ky është kandidati i 18-të i FSK-së që shkollohet në këtë akademi ushtarake.

Në Sandhurst, Kurteshi do të shërbejë së bashku me mbi 100 liderë të ardhshëm, pjesëtarë nga ushtria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ushtritë e shteteve tjera.

Ndërsa, nëntogeri Eugen Thaçi do të qëndrojë në Edinburg të Skocisë, për një para-trajnim që drejtohet nga Shkolla e Trajnimit të Këmbësorisë.

Nëntogeri Thaçi do të studiojë taktikat e Ushtrisë Britanike dhe do të mësojë të përdorë pajisjet britanike në kushtet e dimrit skocez.

Pas këtij trajnimi sfidues, Thaçi do të shkojë edhe në Uells, ku do të jetë oficeri i dytë i FSK-së, për të kryer kursin luftarak për komandant të togës.

Nëntogeri Thaçi si udhëheqës i ekipit në Ushtrimin “Shqiponja Patrulluese 2017”, ka treguar aftësitë për komandimin e këmbësorisë.

Megjithatë, ai do të sfidohet ende nga trajnimi intensiv dhe kushtet e vështira që mund të gjenden në Uells.

Kurse togeri Ismail Hoxha, pas sukseseve në Akademinë Ushtarake Sandhurst, ku fitoi Shpatën si studenti më i mirë ndërkombëtar, dëshmoi aftësi profesionale edhe në garën me prestigjioze “Cambrian Patrol” ku zuri vendin e parë me njësitin e tij .

Të gjitha këto njohuri profesionale të fituara në Mbretërinë e Bashkuar ai i zbatoi me sukses në praktikë në Batalionin e Parë të Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) ku vepron.

Togeri Ismail Hoxha kësaj radhe do të jetë në cilësinë e instruktorit të FSK-së, në Britani të Madhe.

Togeri Hoxha, në Mbretërinë e Bashkuar, gjegjësisht në Skoci, do të kryejë detyrën e instruktorit për t’i mësuar kadetët britanikë.

Ai gjithashtu do të qëndrojë edhe në Uells, në cilësinë e instruktorit në Kursin Luftarak për Komandant të Togut.

Shumë rrallë ndodh dikush nga personeli ndërkombëtar të zgjidhet  instruktor për të udhëzuar dhe trajnuar oficerët britanikë. Kjo është një kredi e madhe për togerin Ismajl Hoxha dhe FSK-në./21Media​