Pamje nga seanca e gjykimit të ish-drejtorit të Inspektoratit të Fushë-Kosovës, Jakup Dumani - Foto: KALLXO.com

Ndërtuesi Dënohet, Ish-Zyrtari i Komunës së Fushë-Kosovës Shpallet i Pafajshëm

Atdhe Kabashi ka marrë gjashtë muaj burg, dënim i cili me pajtim të palëve është zëvendësuar me një gjobë prej 3,600 euro pasi që e ka pranuar që ka bërë një ndërtim pa leje.

Ndërsa ish-drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Fushë-Kosovës, Jakup Dumani, i cili akuzohej për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Jakup Dumani akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se gjatë viteve 2013-2014 në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Fushë-Kosovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit për firmën “Kabashi AM”.

Ndërsa Atdhe Kabashi akuzohej se gjatë viteve 2013 – 2014 në cilësinë e pronarit të firmës “Kabashi AM”, me seli në Prishtinë, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin, pasi në mënyrë të kundërligjshme pa leje ndërtimi ndërtoi objektin banesor në zonën kadastrale në Fushë-Kosovë.

KALLXO.com e ka përcjellë këtë rast në vazhdimësi. Raportet për kë rast mund t’i gjeni në këtë link.