Kuvendi i Kosovës | Foto: KALLX.com

Miratohet Rezoluta për Rrënimin e Murit

Projektrezoluta e harmonizuar e grupeve parlamentare që kërkon rrënimin e murit në Mitrovicë, u miratua në seancën e Kuvendit me votat për të 74 deputetëve, derisa dy prej tyre abstenuan.

Edhe pse, diskutimet për murin ishin kryer të premten e kaluar, edhe sot disa deputetë i thanë fjalët e tyre, duke kërkuar precizim të projekt-rezolutës.

Të premten nuk kishte kuorum që projekt-rezoluta të nxirrej në votim, kështu që atë ditë u vendos që të mërkurën teksti i saj të harmonizohej nga grupet parlamentare, në mënyrë që pastaj të votohej për të.

Projekt-rezoluta e harmonizuar mes grupeve parlamentare kërkon rrënimin e murit brenda muajit janar 2017 dhe shpalljen nga organet komente të tij si veprim politik e ndërtim ilegal.

Projekt-rezoluta gjithashtu kërkon që të mos ndryshohet plani i rivitalizimit të urës së Ibrit që asaj të mos i shtohen muri dhe shkallët. Ajo bën thirrje që të kthehen të zhvendosurit në dy pjesët e qytetit.

Propozuesi i projekt-rezolutës Pal Lekaj tha për KALLXO.com se pika e rezolutës që kërkon dorëheqjen e Edita Tahirit është hequr për të arritur harmonizimin.

Por edhe sot Daut Haradinaj kërkoi dorëheqjen e Tahirit, duke e akuzuar se nuk dëshiron ta rrënojë murin.

http://kallxo.com/haradinaj-kerkon-doreheqjen-e-edita-tahirit/

Muri në Mitrovicë që filloi të ndërtohet në fillim të dhjetorit, shkaktoi reagime ndërkombëtare e vendore. Ambasadori amerikan Greg Delawie u deklarua kundër tij, ndërsa edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova tha se BE-ja nuk ndërton mure.

Kuvendi ka paraparë sot edhe një seancë tjetër për ndryshim-plotësimet e Ligjit për Veteranët e Luftës që pritet të fillojë në orën 15 e 15..