Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: Facebook

Ministri Paralajmëron Vlerësim të Mësimdhënësve

Vlerësim për të gjithë mësimdhënësit paralajmëron Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e këtë do ta bëjnë për të identifikuar nevojën për trajnim të mësimdhënësve.

NDËRLIDHUR

I pari i kësaj Ministrie, Shyqiri Bytyqi ka thënë se këtë vlerësim të mësimdhënësve nuk do ta bëjnë formalisht, por do ta bëjnë në mënyrë profesionale.

“Fjala test pak është e rëndë dhe po ka reagime të ndryshme nga mësimdhënës të ndryshëm, por vlerësim do të ketë. Pak a shumë do të jetë identifikimi i nevojave për trajnim, pra nuk do ta quaj ndoshta testim sepse testimi ndoshta mund të kuptohet duhet të kaloj dikush apo nuk duhet të kalojë nga ai testim. E jona është që t’i vlerësojmë, t’i identifikojmë nevojat shtesë për t’i trajnuar mësimdhënësit, këtë do ta bëjmë patjetër. Normalisht, nuk do të bëjmë gjëra formale sa për t’i identifikuar cilat janë nevojat shtesë për trajnim, do ta bëjmë trajnimin në mënyrë profesionale që ekziston dhe pastaj normalisht që do të jetë edhe një vlerësim”, tha ministri i Arsimit.

MAShT-i ka bërë trajnime për mësimdhënësit rreth kurrikulës së re, por që ministri Byqyqi thotë se një masë e madhe e mësimdhënësve trajnimet i kanë mbajtur vetëm për formalitet dhe se nuk e kanë mbajtur trajnimin për të arritur nivelin e marrjes së informacionit për ta zbatuar atë kurrikulë në praktikë.

Gjithashtu, ministri ka thënë se mësimdhënësit duhet të vetëdijesohen se nuk janë mësues vetëm kur shkojnë në shkollë. Ai tha se mësimi tërë jetësor duhet të zbatohet patjetër në Kosovë.

Në vitin 2018 do të mbahet testimi ndërkombëtar PISA, e që për këtë ministri Bytyqi ka bërë të ditur se ka kërkuar nga PISA që ky test të shtyhet për një vit, kërkesë kjo e cila nuk është pranuar.

Po ashtu, ai tha se ka qenë mundësia që të tërhiqen nga ky test dhe të fillojnë gjithçka nga e para në vitin 2021, por që nuk e ka parë të udhës ta bëjë këtë shtyrje.

Bytyqi ka thënë se pas refuzimit të kërkesës kanë krijuar një komision ku kanë bërë një plan dinamik që në këtë periudhë shumë të shkurtër të marrin hapa konkret për të qenë të përgatitur për këtë testim.

Një problem ministri Bytyqi e sheh edhe natyrën e pyetjeve, ku në testin Pisa 2015, pyetjet kanë qenë logjike dhe kanë kërkuar edhe përgjigje logjike, e për këtë ai thotë se mësimi logjik në shkollat e Kosovës mungon.

Prioritet për vitet e ardhshme për MAShT-in është arsimi profesional, ku ministri Bytyqi ka thënë se është shumë i interesuar që këtë ta zhvilloj në nivelin e duhur në mënyrë që të rinjtë e Kosovës të përgatiten dhe të jenë të shkathët për tregun e punës.

Në këtë drejtim ai tha se do të punojnë shumë që t’i zhvillojnë shkollat profesionale, t’i pajisin shkollat profesionale me pajisjet adekuate, një bashkëpunim të ngushtë me bizneset që nxënësit të kenë mundësi për praktika.

Po ashtu, ai tha se janë duke bërë edhe një plan nacional për shkollat profesionale. /21Media

07 Janar 2018 - 14:31

RTV 21 07/01/2018 - 14:31
NDËRVEPRIMI0

Ministri Paralajmëron Vlerësim të Mësimdhënësve

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend