Ministri në komision para mbylljes së mbledhjes | Foto: KALLXO.com

I Mbyllur Raportimi i Ministrit për Gjendjen në IPK

Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj po raporton në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së me dyer të mbyllura për mediat.

Sefaj në mbledhje do të raportojë për zhvillimet në Inspektoratin Policor të Kosovës, ndërsa mbylljen e ka kërkuar për shkak të çështjeve delikate që do të trajtohen.

“Të mos bëhet kjo temë por çështja është delikate. Kështu është më mirë që të mos devijojë procesi i raportimit. Kam kërkuar që seanca të jetë e mbyllur mund ta vendosni ju në mënyrë demokratike”, tha Sefaj duke iu drejtuar anëtarëve të komisionit.

Por zëvendësskryetari i parë i komisionit Rexhep Selimi, propozoi që diskutimi të ndahej në dy pjesë në atë ku do të lejohen mediat dhe në tjetrën ku do të jetë i mbyllur.

“Unë do të isha në favor të ndahet në dy pjesë, pjesën që i takon interesit të publikut dhe pjesën ku nuk do ishte në interes të publikut. Varet nga ju ministër se si dëshironi të vendosni. Me mirëkuptim kisha kërku që pjesa e parë të jetë për opinion”, tha Selimi.

Edhe Muharrem Nitaj ishte që diskutimi të ndahej në dy pjesë.

“Po mendoj se raportimi do të duhej të ishte në dy pjesë, atëherë do ishte mirë. Janë disa raportime që bëhen në mënyrë të mbyllur shkaku se disa raste janë nën hetime dhe nuk do donim që të kishim ndërhyrë në këto hetime”, tha Nitaj.

Ministri Sefaj edhe pse nuk doli krejtësisht kundër idesë se ndarjes së diskutimit në dy pjesë, tha se është mirë që raportimi të jetë i mbyllur.

“Mund të flasim për gjërat që mund të qëndrojnë edhe mediat, por në tjetrën anë ka raportime që duhet të bëhen pa media. Mirë do të kishte qenë të jetë e mbyllur”, tha ministri Sefaj.

Milaim Zeka mbështeti kërkesën e ministrit, duke thënë se në raste si kjo edhe në Europë raportimet mbyllen.

“Në mënyrë absolute e mbështes kërkesën e ministrit për arsye se nga vendi ku ka punu ministri në vendet europiane gjithmonë ka pasur komisione të mbyllura”, tha Zeka.

Ai deklaroi se nëse ministri ka për t’u thënë diçka mediave mund të organizojë konferencë për gazetarë.

“Tema për të cilën do të diskutohet është shumë e ndishme. Në rastin konkret nëse ka ministri diçka me nda me publikun mund të dalë me një konferencë shtypi”, tha Zeka.

Edhe Zoran Mojsiloviq dhe Haxhi Shala mbështetën mbylljen e mbledhjes së komisionit.

Pastaj anëtarët e komisionit votuan që raportimi i ministrit të jetë i mbyllur dhe mediat u nxorën jashtë.

Në dhjetor të vitit që shkoi KALLXO.com kishte shkruar për anulimin e konkursit për hetues në Inspektoratin Policor të Kosovës.

http://kallxo.com/anulohet-konkursi-per-hetues-ne-ipk/

ndërsa sot KALLXO.com shkroi për suspendimin e dy zyrtarëve të këtij inspektorati.

http://kallxo.com/suspendohen-dy-zyrtare-te-inspektoratit-policor-2/