Foto-ilustrim

Mbi 1 Milion Euro Investime në Rrjetin e Energjisë në Vushtrri

Në vitin 2018, KEDS do të investojë mbi 1 milion euro në përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në Vushtrri.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, pas një takimi me drejtorin për investime kapitale në KEDS, ka njoftuar se këto investime do të bëhen kryesisht në fshatrat e Vushtrrisë, por njëkohësisht do të largohen edhe kabllot në sheshin e qytetit.

“Investimet do të bëhen në qytet, rajonin e Qyqavicës, pastaj në Pantinë, Smrekonicë, Ropicë, Maxhunaj dhe në sheshin e qytetit ku do të largohen kabllot”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.

Tahiri ka thënë se me këtë investim nga ana e KEDS do të bëhen edhe shtyllat e reja elektrike në komunën e Vushtrrisë.

Sipas Tahirit, ky është njëri nga premtimet elektorale për mirëqenien e qytetarëve.

“Ka qenë premtim i yni elektoral që do të hapim çdo derë për të përmirësuar mirëqenien e qytetarit të Vushtrrisë”, ka shkruar Tahiri.