Malazezët e Kosovës i Reagojnë Edita Tahirit

Deklarata e ministres në largim Edita Tahiri që dyshon në sinqeritetin e iniciativës së presidentit serb për dialog të brendshëm për Kosovën “është e dëmshme për Kosovën dhe qytetarët tanë”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Malazezëve të Kosovës që drejtohet nga Slobodan Vujiçiq.

Reagimi i shoqatës që mbledh komunitetin malazez në Kosovë vjen një ditë pasi ministrja Tahiri tha për KALLXO.com se në kuadër të kësaj iniciative, as Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e as ministri i jashtëm Ivica Daçiq nuk po epërmendin kërkim-faljen për krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në këtë reagim, kjo shoqatë thotë se zyrtarët e Kosovës “nuk duhet të japin publikisht përfundime negative në lidhje me rezultatin e këtij dialogu para se të përfundojë dialogu në Serbi”.

“Pas kësaj, le t’i lëmë dy presidentët Vuçiq dhe Thaçi me ekipet e tyre dhe me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare të gjejnë zgjidhjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Malazezët e Kosovës janë optimistë dhe besojmë se në të ardhmen e afërt do të vijë kjo zgjidhje, sepse është në interes të Serbisë, Kosovës dhe paqes së qëndrueshme në Ballkan”, thuhet në reagim.