Foto: Urim Krasniqi/BIRN

Shoqëria civile përcakton 10 parime për t'u ballafaquar me të kaluarën

Një dokument tre faqësh udhëzon akterët politik, mediat dhe publikun e gjerë se si të trajtojnë viktimat, të mbijetuarit/at dhe të kaluarën e dhimbshme dhe narrativat historike gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Parimet për ballafaqimin me të kaluarën ” është nismë qytetare që synon të parandalojë diskursin dhe veprimet e dëmshme që lidhen me trashëgiminë e luftës në Kosovë, dhe të shërbejë si dokument referimi për gjetjen e mënyrave për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Paragjykimet ndaj të mbijetuarve të luftës në Kosovë, glorifikimi i figurave të dënuar për krime lufte nga disa ish-drejtues të institucioneve qendrore, përdorimi i diskursit të papërshtatshëm për të mbijetuarit e luftës dhe mungesa e pjesëmarrjes së tyre në proceset e trajtimit të trashëgimisë së luftës janë disa nga shkaqet që kanë nxitur përpilimin e parimeve.

Ky dokument është përpiluar si pikë referimi si për pushtetin qendror ashtu edhe atë lokal, mediat dhe qytetarët si këshilla se si të merren më mirë me të kaluarën dhe pasojat e luftës në Kosovë.

Kohët e fundit, përmes debateve televizive komunale parazgjedhore, Debat Pernime, të ankoruara nga Jeta Xharra, dokumenti iu prezantua për t’u lexuar kandidatëve për kryetarë të komunave dhe kandidatëve për asamblistë. Në mbështetje të nismës, kandidatët u fotografuan me dokumentin në duar.

Trina Binaku, Menaxhere e Programit dhe Zhvillimit nga ‘Youth Iniciative for Human Rights,’ tha për BIRN, se dokumentin e kanë përpiluar për faktin që kanë kaluar më shumë se dy dekada nga lufta e fundit në Kosovë dhe shoqëria ende përballet me trajtim tejet problematik kundrejt të mbijetuarve dhe viktimave të luftës.

Binaku thotë se dhjetë parime synojnë ndërhyje në diskursin publik ekzistues sa i përket të kaluarës dhe është i nevojshëm për vendosjen e viktimave në qendër të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësisë tranzicionale.

“Kjo për shkak se viktimat gjithmonë kanë qenë të anashkaluara nga ky proces përvec në rastet e instrumentalizmit nga akterë të caktuar politik” tha ajo.

Trajtimi i të mbijetuarve me respektin që meritojnë

Përmes 10 parimeve kërkohet nga shoqëria t’i trajtoj, respektojë, integrojë, mbrojë dhe përfshijë në mënyrë të barabartë të gjithë të mbijetuarit/at dhe viktimat.

Binaku thotë se duke qenë dëshimtare e një diskursi vulgar dhe popullist mbi të kaluarën e shoqërisë kosovare, nevoja e një dokumenti të tillë është e pashoq.
Sipas saj, ky dokument bëhet pashmangshmërisht i nevojshëm kur “shohim deputete e persona publik të cilët glorifikojnë kriminel luftë, instrumentalizojnë viktima dhe minojnë ri integrimin e tyre në shoqëri.”

Me parimin e parë, shoqëria udhëzohet që ata t’i trajtojë me integritet dhe dinjitet duke pranuar vuajtjet e tyre, duke mposhtur stigmën e paragjykimet nga shoqëria dhe riintegrimit të tyre në shoqëri në mënyrë të barabartë.

Kurse përmes parimit të dytë kërkohet që viktimat dhe të mbijetuarit të jenë në qendër të të gjitha aktiviteteve dhe diskursit publik të ballafaqimit me të kaluarën duke i përfshirë në të gjitha proceset që kanë lidhje me luftën.

Në anën tjetër, mbrojtja e identitetit dhe familjarëve të tyre është një ndër aspektet kruciale për ballafaqim me të kaluarën.

Shoqëria dhe të gjitha pushtetet tjera duhet të sigurohen që viktimat dhe të mbijetuarit/at të mbrohen në mënyrë efektive nga stigma, frikësimi dhe presionet; të ketë mos ketë zbulim publik të identitetit përveç nëse ata/ato japin pëlqimin e tyre; privatësia e tyre duhet të mbrohet plotësisht dhe të respektohet në çdo mënyrë.

Por, para së gjithash barazia, gjithëpërfshirja dhe pajtimi janë disa nga aspektet që duhet të ndjekin të gjithë akterët e shoqërisë.

Sipas parimit të katërt, për të arritur pajtimin, shoqëria në Kosovë duhet të krijojë një qëndrim të përbashkët që individët të tregojnë njohje, respekt dhe pranim të ndërsjellë, si dhe ndjeshmëri ndaj nevojave dhe interesave të palës tjetër.

Barazia dhe gjithëpërfshirja arrijnë të promovohen nëse qasja në gjini është pjesë e të gjitha proceseve që kanë të bëjnë me luftën.

“Kushdo që kanë mandat dhe mision për të punuar me gra dhe burra që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore dhe dhunë seksuale gjatë konfliktit në Kosovë, duhet të synojnë të përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e tyre,” shkruan në parimin e pestë.

Lidhje të ngushtë me zgjidhjen e problemeve të të kaluarës dhe ballafaqimin me të, e ka edhe glorifikimi i personave që janë dënuar për krime lufte e sipas këtij dokumenti po trajtohen si heronjë dhe zënë pozita publike.

Në parimin e gjashtë kërkohet që ata/o që janë të dënuar për krime lufte në lidhje me konfliktin nuk duhet të mbajnë asnjë detyrë institucionale, as nuk duhet të kenë qasje në informacione të ndjeshme në lidhje me sigurinë shtetërore dhe publike.

Përveç kësaj, sipas dokumentit trajtimi i të dënuarve për krime lufte si heronjë cenon dinjitetin e viktimave dhe të mbijetuarve/ave.

Në parimin e shtatë, udhëzohet që keqbërjet dhe krimet e luftës të mos i atribuohen kolektivisht një grupi ose etnie, por individët t të mbahen përgjegjës për krimet e tyre që lidhen me konfliktin.

E gjithë këto parime kanë lidhje të ngushtë dhe varen nga diskursi i shprehur në opinionin publik.

Parimi i tetë i këtij dokumenti referues thotë që diskursi publik duhet të bazohet ekskluzivisht në prova dhe informacion të verifikuar për shkak se çdo pretendim apo supozim i gabuar ose lajm i rremë mund të çojë në keqinterpretime të së kaluarës, mohim të krimeve ose akuza të pabaza.

Menjëherë pas saj potencohet edhe parimi i nëntë i cili e lufton gjuhën e urrejtjes duke e konsideruar kërcënim për të drejtat e njeriut, vlerat demokratike, stabilitetin shoqëror dhe paqen.

Kurse në parimin e fundit kërkohet mbrojtja e identitetit të dëshmitarëve të luftës dhe masat mbrojtëse të synojnë kufuzimin e ekspozimit të dëshmitarit ndaj kërcënimeve të mundshme dhe t’iu sigurohen veprime të duhura ndaj kërcënimeve të jashtme.

Procesin e ndërthurjes së një çështje komplekse në 10 parime, Binaku e e cilësoi si shumë sfiduese.

“Pas shumë analizave dhe konsultimeve me hisedare të ndryshëm duke përfshirë edhe komunitetin e të mbijetuarve dhe viktimave kemi konkluduar se 10 parime kyçe të cilat në vetevete ngërthejnë edhe shumë tema të tjera janë të mjaftueshme të udhëzojnë një diskutim më të shëndoshë dhe të drejtë mbi luftën e fundit në Kosovë” tha Binaku.

“A mjaftojnë 10 parime për të udhëhequr një shoqëri që të merret me të kaluarën e saj?” kjo ka qenë një nga pyetjet që ekspertët i bënë vetes gjatë përpilimit të parimeve.

 

Foto:Urim Krasniqi/BIRN