Stema e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: Qeveria Haradinaj Drejtohet me Logjikën e Odave

Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi sot në ditën kur Qeveria Haradinaj mbushi 90 ditë.

“Qeveria Haradinaj drejtohet me logjikën e odave, me sjellje kanunore, duke harruar se në këtë shtet ka Kushtetutë dhe ligj”, tha LDK-ja në reagimin e saj.

LDK-ja më tutje tha se Qeveria Haradinaj ka më së shumti anëtarë nga qeveritë në rajon.

“Që nga 9 shtatori, Kosova ka Qeverinë me më së shumti zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra në rajon dhe më gjerë”, thuhet më tutje në reagimin e LDK-së.

Për LDK-në Qeveria Haradinaj po luan me çështjen e demarkacionit dhe është izoluar nga partnerët ndërkombëtarë.

“Qeveria e Kosovës po bën lojëra për konsum politik me çështjen vitale të demarkacionit, duke e vënë në rrezik të ardhmen e qytetarëve, lëvizjen e lirë të tyre dhe partneritetin me SHBA-të dhe vendet tjera mike”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK-ja konstaton se qeveria dështoi ta transformojë FSK-në në ushtri, ndërsa sipas këtij subjekti politik ka ngecje në të gjitha fushat që janë kompetencë e qeverisë qendrore.