Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK Nuk e Voton Demarkacionin me Dokumente të Bashkëngjitura

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do ta votojë Projektligjin për Demarkacionin me Malin e Zi nëse i bashkëngjiten dokumente të tjera “kontradiktore”.

LDK ka thënë se e mbështet Ratifikimin e Projektligjit për Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe Deklaratën politike të Presidentëve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila përbëhet nga dy nene të Marrëveshjes së gushtit 2015, dhe do të votojë për këtë Projektligj vetëm me këtë përmbajtje.

“LDK-ja nuk mund të mbështesë Ratifikimin e Projektligjit, nëse të njëjtit i bashkëngjiten dokumente kontradiktore”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Më tej thuhet se LDK-ja në vazhdimësi ka theksuar se Marrëveshja e 26 gushtit 2015 është në përputhje me të gjitha faktet dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe se mosratifikimi i saj deri më tani, e ka mbajtur vendin të izoluar dhe larg perspektivës evropiane.

“LDK-ja do të vazhdojë të mbështesë perspektivën dhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike”, përfundon njoftimi për media i LDK-së.

Seanca në të cilën do të votohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit do të mbahet nesër në orën 11:00.

http://kallxo.com/kryesia-cakton-per-neser-seancen-e-demarkacionit/