Kërkohet më Shumë Kujdes për Fëmijët me Epilepsi

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të organizojnë programe të cilat rrisin vetëdijen mbi epilepsinë tek fëmijët, familjet e tyre dhe publikun e gjerë. Kjo kërkesë nga KOMF u bë në Ditën Ndërkombëtare për Epilepsi.

‘Programi duhet të angazhohet po ashtu në forcimin e sistemit shëndetësor, duke ndihmuar në rritjen e qasjes së qëndrueshme në barna anti-epileptike dhe në përforcimin e sistemeve referuese. Në klinikën e Pediatrisë të krijohen kushte më të mira për diagnostifikim të drejtë të Epilepsisë”, thuhet në komunikatën për media nga KOMF.

Sipas kësaj organizate një numër i madh i fëmijëve me epilepsi vuajnë nga stigma dhe diskriminini.

“Kjo, jo vetëm që parandalon fëmijët të kërkojnë trajtim, por gjithashtu i pengon ata që të integrohen në komunitet”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas KOMF në shumicën e vendeve të varfra, barnat anti-epileptike nuk janë në dispozicion dhe shumë profesionistë të shëndetësisë nuk kanë trajnim të duhur për të njohur, diagnostikuar dhe trajtuar epilepsinë.

“KOMF rekomandon që Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërmarrë veprime për një furnizim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të barnave në SHSKUK, për të garantuar se fëmijët do të marrin trajtimin e duhur dhe që barnat nga lista esenciale nuk do të mungojnë”, thuhet në komunikatë.