Foto: Facebook

John Kerry Lavdëron Shqipërinë

Me nderimet më të larta autoritetet shqiptare e kanë pritur sot shefin e diplomacisë amerikane, John Kerry, të cilit i kanë shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat evro-atlantike.

Sipas presidentit Bujar Nishani, vizita e z. Kerry është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh “në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin”.

Presidenti Nishani e ka siguruar Sekretarin amerikan të Shtetit për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në Tiranë, Sekretari amerikan i Shtetit është pritur edhe nga shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama. John Kerry tha me këtë rast se Shqipëria është në rrugën e duhur në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe forcimit të ligjit e shtetit ligjor.

“Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur dhe jam besimplotë që ndërgjegjësimi është përqafuar sa i përket legjislacionit për luftën kundër korrupsionit. Më ka bërë përshtypje hartimi i dekriminalizimit. Jam i inkurajuar nga paketa e reformës në drejtësi dhe dëshiroj të theksoj që kjo është diçka që politika po punon fort që të realizohet”, tha Kerry.

Në një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, kryeministri Edi Rama ka thënë se mbështetja pa asnjë ekuivok e reformave nga ana e Sekretarit të Shtetit dhe konsideratat shumë pozitive të tij për progresin e bërë në këtë periudhë reformash, janë një motiv i rëndësishëm krenarie po edhe përgjegjësie më të madhe.

“Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. Objektivi ynë i përbashkët është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese. Kam besim që do t’ia dalim dhe fakti që nuk jemi vetëm, por me SHBA-në në krah e bën të pakthyeshëm këtë sukses”, ka deklaruar, ndërkaq, Edi Rama pas takimit me kryediplomatin amerikan.

Agjencia AFP ka raportuar se John Kerry ka lavdëruar kontributin e Shqipërisë në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër grupit “Shteti Islam” (ISIS).

“Ne po jetojmë në një epokë ku sfidat botërore janë të mëdha. Shqipëria e ka kuptuar dhe roli i saj ka qenë shumë i rëndësishëm në fushën e ndihmës dhënë Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve përballë sfidës së kohës: luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”, citohet të ketë thënë sekretari Kerry në prani të kryeministrit Edi Rama.

Sipas Agence France Presse, Shqipëria më 2014 u ka dhënë një sasi të madhe armësh dhe municioni forcave kurde për të luftuar kundër ISIS-it në veri të Irakut. Sipas burimeve nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes të cituara nga agjencia franceze, fjala është për 10.000 pushkë automatike “Kallashnikov”, 22 milionë plumba të kalibrit 7,62 mm, 15.000 granata dhe 32.000 pjesë municionesh për raketahedhës të kalibrave të ndryshëm.

Para se të largohej nga Tirana në ora 14:00, shefi i diplomacisë amerikane është takuar edhe me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati dhe me kryetarin e PD-së, Lulëzim Basha.

Për sigurinë gjatë vizitës së John Kerryt në Tiranë janë angazhuar 1.548  forca policore shqiptare dhe agjentë amerikanë.

Kjo është vizita e pestë e një Sekretari amerikan të Shtetit në Shqipëri.

Para John Kerryt Shqipërinë e kanë vizituar James Baker më 1991, Madeleine Albright më 1999, Colin Powell më 2001 dhe Hillary Clinton më 2012. [interaction id=”56c0db543c42ab681c979b6c”]